Bota

Policia arreston një 47-vjeçar pas sulmit në Nisë. Macron: E gjithë Franca u gjunjëzua!

Një 47-vjeçar është ndaluar në Nise, Francë, pasi dyshohet si i përfshirë në sulmin e djeshmëm, ku mbetën të vdekur tre persona.

Ai dyshohet të ketë pasur komunikim me autorin e sulmit me thikë në një kishë.

Të enjten, një tunizian që mbante një thikë dhe thirri “Allah Akbar” theri tre persona para se të plagosej dhe arrestohej nga policia. Një grua 44-vjeçare braziliane është midis tre të vdekurve në sulm, njoftoi Ministria e Jashtme braziliane.

Ajo është nënë e tre fëmijëve, banuese në Francë. Viktimat e tjera ishin një grua 60-vjeçare dhe një punëtor 55-vjeçar i kishës, baba i dy fëmijëve.

Duke folur pas sulmit, presidenti francez, Emmanuel Macron, është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga "vlerat e saj" dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos "dorëzohen në frymën e përçarjes" pas sulmit në qytetin jugor të Nicës.

Macron tha se e gjithë Franca është sulmuar, duke shtuar se ai do të vendosë mijëra trupa të tjerë për të mbrojtur vendet kryesore, të tilla si vendet e kultit dhe shkollat.

"Franca u sulmua për shkak të vlerave tona, për shkak të ndjenjës sonë të lirisë, për shkak të aftësisë sonë për të pasur liri të besimit në tokën tonë, sepse nuk i nënshtrohemi asnjë terrori. Më lejoni ta them këtë shumë qartë: kurrë nuk do të dorëzohemi", tha Macron.

Kryetari i Nisës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

“Më duhet ta them se Nisa ashtu sikurse e gjithë Franca, por ndoshta më shumë sesa vendet tjera në Francë – sot po paguan një çmim tepër të lartë, duke u bërë edhe një herë viktimë e ‘islamo-fashizmit’”, ka thënë ai para gazetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë