Rend dhe Ligj

Efektivi i Rrugores së Tiranës kapet me drogë në Turqi, përjashtohet përgjithmonë nga Policia

Gazeta Si - Florenc Bicerri, punonjës i Policisë Rrugore të Tiranës, është arrestuar në Turqi para pak ditësh, pasi është kapur me drogë.

Ndërsa Policia e Shtetit njoftoi se e ka përjashtuar përgjithmonë nga radhët e saj, Komisariati Rrugor në Tiranë ka nisur hetimin disiplinor ndaj tij për shkak se nuk është paraqitur në detyrë, duke mos qenë në dijeni se ai ishte nisur drejt Turqisë me synim shitjen e sasive të konsiderushme të lëndëve narkotike.

Polici i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, u arrestua në Turqi bashkë me Kujtim Çelikun, edhe ky një ish-oficer ushtrie, me karrierë të gjatë dhe shtetasin Adrian Qirici.

Në ditët e fundit, autoritetet turke njoftuan ato shqiptare se tre persona u arrestuan në një parking me sasi droge, ku njëri prej tyre ishte Florenci.

Nga Rinasi në Turqi

Mësohet se Bicerri kishte marrë leje nga Komisariati Rrugor i Tiranës dhe në 5 tetor ka udhëtuar nga Rinasi drejt Turqisë.

Sipas burimeve paraprake, Bicerri ka qenë i shoqëruar me shtetasin Kujtim Çeliku, edhe ky i arrestuar, i cili rezulton i dënuar më përpara për vjedhje. Të dy këta persona pasi kanë kaluar pikën kufitare kanë udhëtuar drejt Stambollit.

Autoritetet turke kanë arrestuar efektivin e rrugores dhe mikun e tij dhe një person tjetër që i shoqëronte, pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Hetimet dhe përjashtimi nga Policia e Shtetit

Në lidhje me përfshirjen e efektivit të Rrugores në trafik ndërkombëtar të drogës, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet.

Për rastin kanë nisur menjëherë hetimet, ndërsa me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, 27-vjeçari Bicerri u përjashtua përgjithmonë nga Policia e Shtetit.

E përfshirë në hetime është edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila, përveç rastit të policit, pritet të hetojë me imtësi edhe punonjësit e doganës dhe policisë në Rinas që kanë qenë prezent në punë në datën 5 tetor, të cilët lejuan kalimin e Bicerrit me sasi droge.

AMP dhe policia kanë dyshime edhe të përfshirjes së personave të tjerë në trafikun e dorgës, por janë të rezervuar në detaje.

“Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët turq, në lidhje me një rast trafikimi të lëndëve narkotike, në të cilin janë të përfshirë 3 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre punonjës policie, ka ngritur një grup të dedikuar hetimor, për hetimin e rastit. Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit”, - njofton policia.

Kush është ish-Komando që u kap me policin e Rrugores

Kujtim Çeliku, personi tjetër i arrestuar në Turqi me policin 27-vjeçar, rezulton të ketë qenë oficer i ushtrisë në repartin e forcave speciale “Komando”.

Oficeri, para vitit 2011, ka kryer pesë misione paqeruajtëse në Irak e Afganistan. Ai u arrestua para 11 vitesh pasi kërkohej për grabitjen e një biznesmeni në Durrës.

Ndaj Çelikut, në atë kohë, kishte një urdhër-ndalimi, pasi në bashkëpunim me tre persona të tjerë grabitën një biznesmen, i cili merrej me tregti floriri.

Atij i vodhën çantën me 176 unaza floriri, me një vlerë prej 30 milionë lekësh. Pas arrestimit, Çelikut, gjatë kontrollit në banesë, në Mullet të Tiranës, iu gjetën municione dhe kallëpe tritoli, që i mbante pa leje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë