Futbolli europian ka sjellë emocione të mëdha mbrëmjen e së shtunës, sidomos në Angli. Në atë që të gjithë e konsiderojnë kampionatin më të bukur në botë, Liverpuli dhe Mançester Siti, dy pretendentët kryesorë për titull, kanë fituar me përmbysje, 2-1. Sadio Mane ishte “heroi” i skuadrës së trajnerit Jurgen Klop, me një asist në 3 minuta para fundit të kohës së rregullt dhe me golin e fitores në shtesë në fushën e Aston Vilës. Edhe djemtë e Pep Guardiolës përmbysën Sauthemptonin në pjesën e dytë me gola të Serxho Agueros dhe Kajli Uollkër. Pas javës së 11-të, Liverpuli kryeson me 31 pikë, 6 më shumë se Mançester Siti.
Itali – Ka qenë gjithmonë një kampionat polemikash Seria A, por futja e VAR-it i ka shtuar më shumë ato. Dora e mbrojtësit De Ligt duket se është kthyer në një magnet për topin dhe dje për një prekje të tillë Juventusi nuk u ndëshkua me penallti në derbin me Torinon. Një ndeshje që u vendos pikërisht nga De Ligt në pjesën e dytë. Ishte goli i parë i tij në kampionat, por më shumë vëmendje mori rasti i diskutueshëm për penallti. Juventusi ia hodhi pa u lagur dhe vazhdon të kryesojë kampionatin me 29 pikë. Interi fitoi në fushën e Bolonjës me përmbysje, falë dy golave të Lukakut, i dyti me penallti. Zikaltrit mbeten 1 pikë pas Juves. Roma mundi 2-1 Napolin, duke konfirmuar momentin e mirë, ndërsa skuadra e Ançelotit mbetet në krizë.
Spanjë – Asnjë nga tri skuadrat kryesuese nuk mundi të fitonte këtë javë, por paraqitjen më të dobët e ka bërë Barcelona kryesuese, që u mund 3-1 në fushën e Levantes. Katalanasit ishin në avantazh, por më pas pësuan 3 gola. Skuadra e trajnerit Valverde është kryqëzuar nga shtypi spanjoll, sepse nuk ka prodhuar as lojë, ndërkohë që Luis Suarez ka pësuar një dëmtim që mund të jetë serioz. Real Madrid humbi një shans të mirë për kreun, duke barazuar pa gola në fushën e tij me Betisin, ndërsa Atletiko Madrid barazoi 1-1 në fushën e Seviljes. Barcelona dhe Reali kanë nga 22 pikë në krye, kurse Atletiko 1 pikë më pak.
Gjermani – Një paraqitje katastrofike ishte ajo e Bajern Mynih në fushën e Eintraht Frankfurtit. Pas 9 minutash lojë, Boateng u ndëshkua me karton të kuq dhe më pas bavarezët pësuan 5 gola. Levandovski shënoi golin e nderit, ndërsa kritikat për skuadrën e Kovaç kanë qenë shumë të forta. Bajerni mbetet në kuotën e 18 pikëve pas javës së 10-të. Kryesojnë Bundesligën dy Borusiat, Mënshegladbah me 22 pikë dhe Dortmund me 19 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.