Biznes

“Po zgjati karantina përtej prillit, do të jetë tragjedi për bizneset”

Sabina Veizaj - Ina Baolli është pronarja e restorant “Ejona” në zonën e ish-Bllokut. Biznesi i saj kategorizohet në biznes të madh, mbi 14 mln lekë xhiro në vit. Në një bisedë me Gazetën “Si”, ajo nuk e fsheh shqetësimin për të ardhmen, edhe atë afatshkurtër në lidhje me biznesin e saj dhe biznesin në tërësi në Shqipëri.

“Ne jemi biznes shërbimi dhe çdo shpenzim varet nga xhiroja. Menduam se tërmeti ishte gropa më e madhe, por nuk dinim asgjë ende. Zakonisht në janar-shkurt biznesi ynë shfaq rënie sepse janë muajt pas Vitit të Ri, kur njerëzit janë të ngopur dhe nuk para i frekuentojnë restorantet. Por janar-shkurti i këtij viti ishte 50% më pak se çdo janar-shkurt i çdo viti paraardhës i pesë viteve të fundit dhe ndodhi e papritura më e madhe”, shpjegon znj.Baolli për Gazetën “Si”.

Ajo e ka mbyllur restorantin më datë 11 mars, menjëherë pasi u mor vendimi nga qeveria për të izoluar vendin si masë për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit.

Por pavarësisht se restoranti është i mbyllur prej dy javësh, znj.Baolli thotë se do t'i paguajë të 14 punonjësit e saj me gjysmë page për muajin mars dhe gjatë prillit, në konsultim me financieren, do të ndajë një rrogë minimale për të gjithë punonjësit në kushtet e mbylljes së aktivitetit.

“Kjo ishte diçka e papritur për të gjithë. Humbjet janë të jashtëzakonshme, por punonjësit të vetmen të ardhur që kanë, është paga dhe nuk mund t'i privoj prej saj, prandaj kemi marrë këto vendime”, shprehet pronarja e “Ejona”-s.

Duke llogaritur disa prej faturave të muajit znj.Baholli tregon se sigurimet 100 mijë lek, tatimfitimi 40 mije lek, qiraja 600 euro, 300 mijë paga, drita, ujë etj.

“Janë para që do të dalin nga xhepi im pa xhiruar asnjë qindarkë. Do të paguajmë me “dhjamin” që kemi mbledhur e pastaj do të rrimë duke menduar falimentin”, thotë znj.Baolli.

Ajo mendon se paketa e emergjencës e prezantuar nga qeveria është e pamjaftueshme.

“Unë nuk mund të marr borxh me përqindje për të paguar tatime, taksa, qira dhe punonjës në një kohë që jo vetëm aktiviteti është bllokuar, por kur nuk kemi asnjë parashikim të sigurt se sa do të zgjasë situata. Nëse kjo situatë zgjatet edhe përtej prillit, ne jemi të falimentuar. Nuk mund ti japë kosto shtesë vetes me kredi në një periudhë fare të pasigurtë shëndetësore dhe financiaro-ekonomike”, shprehet znj. Baolli.

Tri ditë më parë, Ministri për Emergjencën Arben Ahmetaj do të deklaronte se “shteti nuk do të ndërhyjë tek qiratë”.

Sipas Ahmetajt, të ardhurat nga qiratë janë të ardhura dytësore dhe buxheti i shtetit nuk mund të rimbursojë këto lloj të ardhurash.

Ahmetaj bëri me dije së në tre muaj buxheti i shtetit mund të humbasë 140 mln dollarë “jemi në luftë dhe nuk do të arkëtojmë, por do të humbasim, prandaj kemi menduar për të ndihmuar shtresat në nevojë dhe të mbështesim me garanci solidare biznesin e madh”- do të shprehej Ahmetaj.

Sipas tij, në gjendjen e luftës qiradhënësit të bashkëpunojnë duke pritur bizneset të rinisin punën.

Por znj.Baolli tregon për “Si” se në rastin e saj, të komunikosh me pronarin e objektit ku ajo zhvillon aktivitetin, është e pamundur. Ajo thotë se është përpjekur të flasë me të, por nuk i përgjigjet, sepse jeton jashtë.

“Nga bisedat me miq e koleg që zotërojnë një biznes kanë arritur një gjuhë të përbashkët, jo të gjithë, por ka nga ata që mes  tyre kanë gjetur mirëkukuptim. Një pjesë kanë qenë të sensibilizuar që ose ta shtyjnë pagesën e qirasë, ose të reduktojnë pagesën. Por ky nuk është rasti im”, thotë ajo.

Por sugjeron se në këtë situatë çështje kaq thelbësore për mbijetesën e një biznesi, nuk duhet të varen në vullnetin e palëve, por duhet të ndërhyjë shteti.

Sipas saj shteti duhet të kishte kontribuuar me gjysmën e kostove të biznesit, pasi përpos kostove fianciaro-ekonomike, kjo, thotë pronarja e restorantit, do të sjellë edhe kosto sociale.

Përgjigjes “sepse nuk ndjek sugjerimin e ministrit Ahmetaj për shpërndarje të menuve të restorantit nëpër shtëpi”, znj Baolli thotë e bindur se nuk do të funksiononte pasi e ka menduar mirë edhe  këtë mënyrë të vepruari.

“Era është superfuqi në catering. Porosita në një nga këto net pica. Ishte vonë. Pashë kuponin dhe ai mbante numrin 60. Që do të thotë edhe era me eksperiencë dhe kërkesa të jashtëzakonshme, atë ditë kishte marrë vetëm 60 porosi. E dyta, nëse sjell stafin në punë, nuk ka transport, ata i kanë shtëpitë larg. Mirë erdhën. Me çfarë do të kthehen? Pjesa më e madhe janë gra. Ato kanë fëmijë, me kë do t'i lënë? Duhet të mendosh edhe pjesën humane. E treta. Në këtë situatë që na ka përfshirë, pjesa më e madhe e njerëzve janë në shtëpi. Gatimi është kthyer një mënyrë humbamendjeje, argëtimi në kushtet e karantinës. Si mund të porosisin në restorant njerëzit që kanë kohë me pashë duke qendruar në shtëpi?”-shpjegon ajo.

Ajo mendon që në këto kushte treçereku i bizineseve do të falimentojë pasi të dilet nga emergjenca shëndetësore.

Znj.Baholli tregon se ka investuar 80 mijë euro dhe nuk ka shumë që ka bërë rinovim të mjediseve të restorant “Ejona”.

"Edhe sikur të shpall falimentin e të dua të shes mjetet, thotë ajo, 50 mijë euro i kam të humbura sepse janë investime që janë të patransferueshme dhe do t'i mbeten pronarit të mjedisit, plus mallin e papërdorur dhe që tashmë është prishur apo ka skaduar".

"Por edhe sikur të rinisim aktivitetin gjatë prillit, shpjegon Znj, Baolli, do të jetë një rrugë tepër e gjatë për t'u futur në normalitet".

“E ardhmja është pesimiste. Edhe sikur të rinisim shpejt, për mua ky vit do të jetë shumë i keq, sepse në verë unë 70% të klientelës e kam të huaj të cilët rezervojnë një javë, 10 ditë apo një muaj përpara. Situata, përpos tërmetit na dha sigurinë që humbëm turistët”, shpjegon Ina Baolli e “Ejonës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë