Politike

“Po me kushte”, Franca i bashkëngjitet Gjermanisë

Edhe pse vitin e kaluar presidenti Emmanuel Macron ishte ai që bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Franca pritet t’i bashkohet Gjermanisë, duke dhënë një “po” me kushte për vendin tonë.

Franca dhe Holanda do të japin qëndrimin e tyre për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mërkurën, gjatë takimit të ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian në Bruksel.

Duke cituar burime zyrtare të Bashkimit Europian, “ABC News” shkruan sot se Franca t’i bashkëngjitet qëndrimit gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe hapje të kushtëzuar të negociatave për Shqipërinë.

Takimi i së mërkurës i paraprin mbledhjes se ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian që zhvillohet në 15 Tetor në Luksemburg, ku do të merret edhe vendimi për të të dyja vendet.

Heshtja e deritanishme e Macron në lidhje me negociatat me vendin tonë mund të shprehe ndoshta edhe një pakt të heshtur mes Gjermanisë dhe Francës, të cilat mund të arritur tanimë një marrëveshje kur bie fjala për Shqipërinë.

Bashkëpunëtori i Lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit në Berlin, Bodo Weber thotë se Gjermania dhe Franca kanë gjetur tanimë një zgjidhje të mesme kur bie fjala për Shqipërinë. Analisti bën të ditur se Merkel dhe Macron kanë arritur një pakt për një shkëputje të pjesshme, sipas të cilës Shqipërisë iu vendosen disa kushte.

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Gazeta Si, 30 shtator, 2019



Megjithatë, ndryshe nga Gjermania, Franca ka të ngjarë ti kërkojë Shqipërisë të bëjë më shumë për të frenuar radhët e gjata të emigrantëve.

Pasi vendosi nëntë kushte për të filluar negociatat me Shqipërinë, Ministria e Jashtme gjermane i ka bërë apel vendeve skeptike, si Danimarka, Franca dhe Holanda t’i bashkohen vendimit të saj dhe të mos bëhen pengesë për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas raporteve, Gjermania po lobon me këto vende më radikale se ajo, me shpresën se kushtet e vëna mund të shërbejë si një garanci për t’i bindur ato.
Franca nuk e ka bërë ende publik qëndrimin, por Holanda ka dalë kundër integrimi të vendit tonë.

Në komisionin për çështjet europiane të Parlamentit holandez,Ministri i Punëve të Jashtme, Stef Blok është shprehur, se nuk ka supriza lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë, pasi qëndrimi mbetet ai i verës. Ai i është referuar mocionit të aprovuar nga Parlamenti holandez në Qershor të këtij viti kundër hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Blok ka shtuar se Shqipëria do të hapë negociatat e anëtarësimit kur të përmbushë kushtet, ndërkohë që Maqedonia e Veriut duhet të vlerësohet në mënyrë të pavarur.

Nëse Holanda i qëndron, JO-së për Shqipërinë, atëherë Bashkimi Europian pritet të shkohet drejt ndarjes së vendimmarrjes për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë