Politike

“Po mbledhin kartat e identitetit dhe po blejnë vota”, Bardhi çon në SPAK 43 persona

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Elbasan, Gazment Bardhi, përmes një deklarate për media, ka njoftuar se ka dorëzuar në SPAK një listë emrash që sipas tij po kryejnë krime zgjedhore në këtë qark.

“Gjatë javës së fundit, për shkak se kanë kuptuar braktisjen masive nga shumica dërrmuese e qytetarëve të Elbasanit, pasi ja keni thënë në sy vendimin tuaj se në 25 Prill do të votoni për ndryshimin, Taulant Balla ka ngritur një rrjet kriminal për mbledhjen e kartave të identitetit dhe blerjen e votave.

Jam sot në këtë komunikim me ju, për të njoftuar se pas evidentimit të të gjitha rasteve, kemi dorëzuar dosjen e plotë me të dhëna pranë SPAK ndaj disa shtetasve për veprat penale “Grup i Strukturuar Kriminal”, “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”, dhe “Shpërdorimi i autoritetit policor”, tha Bardhi duke renditur rreth 43 persona  përfshi këtu Taulant Ballën dhe biznesmenin Gjergj Luca.

“Sot kam një mesazh për secilin prej tyre.

Nuk ka krim elektoral, sado në errësirë e në fshehtësi të kryhet, që të mos zbulohet dhe ndëshkohet. Cilido prej tyre do të përgjigjet.

Duhet të keni parasysh, se ne do të ndërmarrim çdo nisëm, çdo instrument ligjor, dhe do të nxisim dëshmitarë të drejtësisë që të bëhen pjesë e ndëshkimit shembullor të kujtdo që tenton të blejë qoftë edhe 1 votë të vetme.

Mos kini asnjë iluzion se jeni të paprekshëm. Ata që mendojnë se janë të paprekshëm, do të shohin se pas 26 prillit do të humbin jo vetë privilegjet e paligjshme, por edhe lirinë.

Askush dhe asgjë nuk e ndal dot ndryshimin. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, me shumicën e qytetarëve të ndershëm të Elbasanit. Keqbërësit, banditët, drejtorët, dhe servilët e Taulant Ballës, do të jenë me 26 prill në minorancë.

Në Elbasan do të ketë drejtësi, do të ketë rend, dhe ligji do të bjerë mbi këdo që e ka sfiduar deri tani, dhe që po e sfidon edhe këto pak ditë që kanë ngelur deri në vendimin që do të marrin qytetarët”, tha Bardhi .


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë