Politike

Basha, Ramës: Mos u fry nëpër ekrane kot, por hajde në debat me mua

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ftoi kryeministrin Edi Rama në një debat publik.

Në një takim të tij zhvilluar me fermerët e Baldushkut, Basha tha se Rama po i fshihet debatit.

“Kryeministri refuzon debatin. Shqiptarët kanë një traditë debati. Ky debatin e ka detyrim para jush jo para meje. Pse i fshihet debatit, ku është trimi i madh i debatit? E kam ftuar ditë për ditë e ftoj edhe sot para jush.

Hajde e ke për detyrë! Çdo drejtues e ka për detyrë të bëjë debat para qytetarëve, ka akoma kohë por nuk besoj se do t’i dali frika. Sado që fryhet nëpër ekrane në thelb është një frikacak që po i ikën debatit.

Ra pandemia dhe i dolën ‘petët lakrorit’, e pamë se në çfarë niveli ishte shëndetësia. Trego për kë ke punuar këto tetë vite, shqiptarët dhe Shqipëria është më e varfër. Unë do ta mas suksesin tim me sa lekë do të keni në xhepat tuaj”, tha Basha.

Ndërsa në fjalën përshëndetëse, në njësinë 7 në Tiranë, Basha tha se e nisi jetën e tij politike pikërisht aty.

“Faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme! Si përherë më bëni të ndihem ashtu siç jam në shtëpinë time.

Ora po afron, dita po afron, së bashku do të sjellim ndryshimin për familjet tuaja dhe unë të kem mundësi t’ju shërbej tashmë jo vetëm si një ish-deputet apo kryetar bashkie, por edhe si kryetar i qeverisë së ndryshimit me votën dhe me besimin tuaj. Faleminderit nga zemra! Të gjithë masivisht në kutitë e votimit më 25 prill! Asgjë nuk e ndal dot ndryshimin, sepse ndryshimi tashmë është në zemrën e çdo shqiptari! Dhe me ndryshimin, Shqipëria fiton! Ju fitoni!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë