Menaxhim

‘Po kërcënojnë mjedisin’. OECD i sugjeron Shqipërisë të rrisë taksat për ndërtuesit dhe të aplikojë taksën e turistit

Nga Gazeta 'SI' - Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) i sugjeron qeverisë së Shqipërisë të rrisë detyrimet tatimore për ndërtuesit që përdorin burimet natyrore.

Në një analizë të gjatë për potencialin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, OECD thotë se përderisa ndërtimi vazhdon të zhvillohet fuqishëm në vendin tonë, atëherë duhet të taksohet përdorimi i gurëve, zhavorrit, rërës etj, njësoj si në BE.

Kështu, ndërtuesit do të detyrohen të përdorin materiale dytësore për ndërtim, duke mbrojtur habitetet natyrore të vendit.

Tarifat e burimeve mund të konsiderohen edhe për minierat, të cilat duhet të mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të kostove të trajtimit të mbetjeve. Shembuj të mirë mbeten Danimarka, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, ku taksat e vendosura mbi burimet kanë kontribuar në një reduktim të përdorimit të materialeve parësore.

Një tjetër industri që OECD vlerëson se po shkatërron mjedisin shqiptar ëhstë turizmi, prandaj ajo sugjeron vendosjen e taksës turistike për të gjitha kostot shtesë që individët dhe bizneset i krijojnë natyrës.

Paralelisht nevojiten politika shtesë që stimulojnë riciklimin. Një pjesë e taksave ndaj burimeve mund të mbështesin riciklimin me subvencione, sugjeron OECD.

Taksat mbi mjedisin ofrojnë qasje gjithëpërfshirëse për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve, në mbrojtjen e mjedisit dhe shpërndarjen e barabartë të përfitimeve.

Shqipëria amendoi Ligjin e tij për Menaxhimin e Mbetjeve për të ndaluar përdorimin e disa kategorive të qeseve plastike në mars 2022, por aktualisht nuk ka taksë për disa materiale plastike, siç janë ambalazhet plastike të pariciklueshme. Një taksë e tillë mund të mbështesë përdorimin e plastikës së ricikluar në një gamë të gjerë të produkteve të paketimit plastik, vë në dukje OECD.

OECD rekomandon se instrumente ekonomike, të tilla si taksat mund të ndihmojnë në arritjen e qëllimeve të ekonomisë rrethore me një kosto më të ulët që nxit njëkohësisht edhe inovacionin.

Përveç taksave OECD vë në dukje se Shqipëria duhet të përdorë kritereve të prokurimit publik të gjelbër ndaj kompanive që kontrakton për punë publike dhe për shërbime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë