Politike

Plotësimi i Kushtetueses, Meta takoi Ruçin. Kim dhe Soreca në Gjykatë. Sot mblidhet KED

Aktorët politikë që kanë në dorë përshpejtimin e procedurave për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese duket se e kanë marrë mesazhin e ambasadores së SHBA në Tiranë që të rifillojnë procesin pa humbur kohë dhe që mundësisht brenda këtij viti, kjo gjykatë të jetë funksionale.

Siç edhe gazeta “Si” njoftoi dje, rreth mesditës Presidenti Ilir Meta priti në një takim kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Burimet saktësojnë se kryefjala e këtij takimi ishte procesi i plotësimit të Gjykatës Kushtetuese, pas mesazhit të shprehur edhe përmes një editoriali nga ana e ambasadores amerikane, Yuri Kim. “Venecia foli, keni detyrim funksionimin e Gjykatës Kushtuetuese”, tha kryediplomatja amerikane në Tiranë.

Njoftimi i shpërndarë nga Presidenca mbi përmbajtjen e këtij takimi konfirmoi se kryefjala e bisedës Meta-Ruçi ishte procesi i plotësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

“Duke ripërsëritur domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha institucioneve me qëllim ripërtëritjen dhe bërjen funksionale sa më parë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Presidenti Meta shprehu gatishmërinë e tij të plotë për të nisur menjëherë punën për një interpretim unik të rekomandimeve dhe bashkërendimin për zbatimin kushtetues dhe ligjor të tyre”, thuhet aty.

Presidenca thotë se në takim Meta ka nënvizuar kërkesën për transparencë dhe bashkëpunim mes palëve, duke kujtuar se procesi është nën vëzhgimin e kujdesshëm të Komisionit të Venecias, Bashkimit Europian dhe Bundestagut gjerman.

“Vlerësimi i të cilëve do të jetë kyç për nisjen e procesit të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Këtij qëllimi duhet t’i shërbejë bashkëpunimi gjithëpërfshirës edhe për zbatimin e 15 kushteve të BE”, deklaron Meta.

Sipas njoftimit të Presidencës, Ruçi ka ndarë të njëjtat pikëpamje me Ilir Metën dhe e “konsideroi të papranueshme zvarritjen e ripërtëritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë nga institucionet e pavarura”. Në fund thuhet se Presidenti Meta dhe Kryetari Ruçi ranë dakord për nisjen e menjëhershme të punës nga ekspertët e të dy institucioneve për identifikimin e të gjitha çështjeve që kërkojnë trajtim urgjent dhe afat-mesëm dhe dakordësimin e masave që do të duhet në ndërmerren në zbatim të tyre.

Paralelisht me takimin Meta-Ruçi, Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim dhe ai i BE, Luigi Soreca vizituan Gjykatën Kushtetuese, e cila ka 4 anëtarë për momentin dhe pret plotësimin edhe me 5 të tjerë, ndërsa 3 janë në proces zgjedhje.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet sot që prej largimit të Ardian Dvoranit si kryetar. Mbledhja do të drejtohet nga Vitore Tusha që është nënkryetare e KED. Në rend të ditës janë rekomandimet e Venecias për emërimin e Kushtetueses, si dhe zgjedhja e kandidaturave

Fill pas mesazhit, Kim thirri në rezidencën e Ambasadës ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa këtë të hënë u takua me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Që diskutimi në këtë takim është përqëndruar tek plotësimi i Gjykatës Kushtetuese e konfirmoi edhe deklarata për shtyp e Kuvendit.

“Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe përshpejtimin e plotësimit dhe bërjes funksionale sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë”, tha zyrtarisht Kuvendi.

Në mungesë të funksionimit të plotë të Gjykatës së Lartë, aktualisht plotësimi i Gjykatës Kushtetuese varet vetëm nga Presidenti dhe Kuvendi. Të dyja palët janë “zbutur” pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor që deklaroi përfundimin e mandatit të Ardian Dvoranit si anëtar i Gjykatës së Lartë, e rrjedhimisht edhe si kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucion që bën përzgjedhjen dhe renditjen e kandidaturave për në Kushtetuese dhe më pas dorëzon listat me jo më pak se tre emra në Presidencë dhe Kuvend.

Por, pak muaj më parë nuk ishte kjo klimë bashkëpunimi dhe gatishmërie Presidencë-Kuvend për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese. Prej vjeshtës së vitit të kaluar palët u përfshinë në një ngërç institucional, ligjor e kushtetues në lidhje me radhën e emërtimit duke iu drejtuar Komisionit të Venecias për interpretim.

Presidenti Ilir Meta akuzoi në atë kohë kreun e KED-së, Ardian Dvorani se po orkestronte një skemë mafioze me qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca. Meta e bazonte akuzën me faktin se listat me kandidatët e miratuar nga KED në të njëjtën ditë në Presidencë u dorëzuan me 8 tetor, ndërsa në Parlament një javë më vonë.

Sipas parashikimit të Kushtetutës, Kuvendi duhet të zgjidhte një emër nga listat brenda 30 ditëve, përndryshe kandidati i renditur i pari nga KED emërohej automatikisht si anëtar në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, afati 30-ditor për Presidentin parashikohej vetëm në ligjin dhe jo në Kushtetutë, çka del edhe në opinionin e Venecias. Në Kushtetutë parashikohej radha, ku një emërtim i takonte Presidentit, një Kuvendit dhe kështu me radhë deri në momentin që të dyja institucionet të plotësonin nga tre vendet që u takojnë.

Presidenti e kishte miratuar Besnik Muçin nga lista e parë e marrë nga KED, ndërkohë që në listën e dytë refuzoi të zgjedhë një emër duke arsyetuar se Kushtetuta ja cakton radhën Kuvendit. Meta deklaroi “vetëngrirjen” e procesit më 5 nëntor, 3 ditë para përfundimit të afatit ligjor.

Ndërkohë, Parlamenti mori në shqyrtim në javën e fundit të afatit 30 ditor dhe në të njëjtën seancë plenare miratoi dy kandidaturat e veta. Emri që qëndronte në krye të listave si të Presidencës, ashtu edhe të Kuvendit ishte ai i Arta Vorpsit. Për mazhorancën, pas datës 8 nëntor 2019, Vorpsi ishte automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndaj në seancë plenare votoi Elsa Toskën dhe Fiona Papajorgjin si anëtare të Kushtetueses.

Por, nuk mendoi kështu Presidenti Meta. Fill pas kësaj lëvizjeje të mazhorancës, ai dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të Kushtetueses, duke e lënë Arta Vorpsin jashtë edhe në ceremoninë e betimit në Presidencë, ku thirri Xhaferllarin së bashku me dy anëtaret e miratuara nga Kuvendi.

Arta Vorpsi reagoi duke nënshkruar formulën e betimit në një zyrë “noterie”, nisur nga një precedent polak. Por, Gjykata Kushtetuese nuk ja njohu këtë dhe me kalimin e javëve dhe muajve, edhe mazhoranca u pajtua në heshtje me këtë, duke prezantuar në fillim të këtij viti një projektligj për t’i hequr Ilir Metës të drejtën ekskluzive të betimit dhe duke legalizuar betimet tek noteri.

Kjo rindezi përplasjet mes palëve. Paralelisht me betejat ligjore me Ardian Dvoranin në KED, ndaj të cilit kishte dorëzuar padi në tre prokurori të ndryshme në Tiranë, ku e akuzonte për përvetësim kompetencash dhe shpërdorim detyre, si dhe kishte nisur në KLGJ kërkesën për deklarimin e përfundimit të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës së Lartë, Presidenti thirri një protestë “në mbrojtje të Kushtetutës dhe shtetit ligjor” më 2 mars.

Në këtë tubim, Meta i dha afat mazhorancës që të tërhiqej nga projektligji për betimet para datës 15 mars, në të kundër paralajmëroi se do të nënshkruante së bashku me qytetarët në mes të sallës së seancave plenare të Kuvendit shpërndarjen e këtij institucioni. Por, si planet e Metës, ashtu edhe të mazhorancës u prishën nga pandemia e koronavirusit që shpërtheu më 8 mars në vendin tonë.

Të dyja palët lanë mënjanë, të paktën përkohësisht konfliktin dhe “harruan” plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, deri në momentin që këtë detyrim ja kujtoi ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë