Politike

Kim u jep karrotën, nis takimet për Gjykatën Kushtetuese

Editoriali i të enjtes i ambasadorës amerikane në Tiranë, Juri Kim ka pasur një numër interpretimesh, diku si goditje ndaj Metës dhe diku si shuplakë ndaj Ramës. Gazeta “Si” ka mësuar se në fakt ambasadorja amerikane, e cila në të vërtetë ka treguar se di të jetë e ashpër dhe e drejtpërdrejtë, këtë radhë nuk ka pasur për qëllim të përdorë shkopin ndaj askujt majtas, djathtas apo në të gjithë piramidën e shtetit.

Burimet i thanë Gazetës “Si” se qëllimi i ambasadores ishte veçse ai që Kim kishte nënvizuar; ecja përpara me reformën në drejtësi dhe prioriteti: përmbushja e Gjykatës Kushtetuese sa më shpejt. Për këtë qëllim zonja Kim ka planifikuar të jetë shumë aktive në ditët në vijim me nxitjen e palëve për të shkuar përpara me reformën në drejtësi. “Asnjë institucion nuk e kishte plotësisht të drejtë, apo plotësisht gabim”, shkruante zonja Kim në brendësi të editorialit.

Thuajse një muaj më parë, Kim përdorte shkopin, kur përmes një cicërime në rrjetet sociale nënkuptoi se i kishin shkuar në vesh fjalë për një marrëveshje që synonte të vriste reformën në drejtësi. “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë…”, shkruante Kim.

Tani, Kim duket se po përdor karrotën! Burime nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i thanë Gazetës “Si” se zonja Kim ka thirrur që të enjten në mbrëmje në rezidencën e saj ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. “…dhe takimet do të vijojnë, - thonë burimet - me të gjithë aktorët që kanë për detyrë për të çuar përpara procesin, nga Qeveria, Kuvendi te Presidenca, me qëllim plotësimin dhe vënien në funksion të Gjykatës Kushtetuese brenda një kohe sa më të shkurtër, mundësisht brenda fundit të vitit, në mënyrë që Gjykata të jetë funksionale përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme në vend.

Po në maj, Kim shprehte drejtpërdrejtë edhe dhe qëndrimin e politikës shqiptare për reformën në drejtësi, duke thënë se “ka shumë që nuk e duan e duan atë”. “Por ajo që mund t’ju them është që për qeverinë amerikane, reforma në drejtësi në Shqipëri mbetet përparësi dhe, për mua personalisht, mbetet një përparësi dhe kam në plan t’i kushtoj gjithçka mundem për ta bërë realitet”, deklaronte ajo.

Tani, me sa duket pasi “njohu ata që nuk e duan” dhe ata që “u përpoqën ta vrasin këtë reformë”, ambasadorja shprehet qartësisht me këshillën-ultimatum në editorialin e publikuar të enjten. “Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit”, thotë ajo.

Nga njëra palë perceptimi që krijohet është që mesazhi u mor dhe në këtë këndvështrim, me sa duket, është edhe lëvizja e fundit e mazhorancës për t’u tërhequr nga kundërshtimi i kandidaturës së Metës për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Më parë socialistët kishin thënë se do ta injoronin kandidatin e katërt të Presidentit për KLSH, por brenda më pak se një jave, ata e kthyen fjalën mbrapsht dhe vendosën ta kalojnë në Kuvend javën e ardhshme.

A është ky një sinjal paqeje me Presidentin, që parasheh një verë armëpushimi mes palëve? Këtë do të presim dhe do ta shohim me emërimet e radhës në atë që ka qenë “molla e sherrit” për një vit thuajse, Gjykatën Kushtetuese.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë