Futboll

Platini: Më trajtuan si Al Kapone, jam kundër futbollit modern

Ish-presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, tregohet i ashpër ndaj futbollit modern në një intervistë të fundit, ku gjithashtu paralajmëron rikthimin e mundshëm në botën e futbollit. Francezi u skualifikua për 4 vjet nga FIFA në një kohë, kur kishte projekte të mëdha. Ai shpreh keqardhjen për atë dënim që e quan krejtësisht të padrejtë.

"Më kanë trajtuar si Al Kapone, - ka thënë Platini për “France Info”. – Kam bërë denoncim ndaj disa personave për konspiracion kriminal". Më tej Platini i kthehet çështjes së organizimit të Botërorit 2022 në Katar. "Kam punuar gjithmonë për zhvillimin e futbollit dhe katër vjet më parë votova për Marokun. Hodha idenë e zhvillimit të Europianit në 13 vende pikërisht për t’u dhënë mundësinë atyre ta kenë këtë turne, të punojnë për stadiumet dhe kështu me radhë. Për të njëjtat arsye desha ta çoja futbollin në botën arabe, doja që në Botërorin e Katarit të përfshiheshin edhe Emiratet Arabe dhe Bahreini dhe që të luhej në dimër, mes nëntorit dhe dhjetorit. Një aventurë të fundit në futboll do ta doja, por nuk dua të bëj zgjedhjen e gabuar. Dua të jetë diçka që më pëlqen dhe ku mund të jem i dobishëm".

Trishtim për futbollin e sotëm, shumë larg atij që Platini ëndërronte. "Futbolli sot është i bazuar vetëm te pasuria. Blen më të mirët dhe fiton. Shikoni PSG-në: presidenti është nga Katari, drejtori sportiv nga Brazili, trajneri nga Gjermania dhe ka vetëm një francez në skuadër. Quhet PSG vetëm se është skuadër e Parisit, por mund të kishte shumë emra të tjerë. Kur isha president i UEFA-s, u mundova të krijoja turne, ku të gjithë kishin mundësi për të fituar, tani gjithçka është shumë e vështirë”, - ka theksuar Platini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë