Lajme

“Platforma”, Rama: Presioni ka sjellë ndryshim në administratë

Kryeministri i vendit, Edi Rama, ditën e sotme ka zhvilluar një takim në Kryeministri me qytetarët për platformën e bashkëqeverisjes.

Qytetarët janë shprehur se duke iu drejtuar këtij portali, kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre.

Kreu i qeverisë, Rama, u shpreh se është rritur numri i rasteve të zgjidhura dhe kjo si rezultat i presioneve të ushtruara, të cilat kanë për qëllim rritjen e efikasitetit të shërbimit ndaj qytetarëve. 

“Presioni ka sjellë një ndryshim të madh në administratë. Na vjen shumë mirë po ashtu që në tërësinë e tyre, qytetarët shprehen të kënaqur dhe janë të gatshëm për të ardhur këtu dhe shprehur shqetësimin dhe zgjidhjen që kanë gjetur”, u shpreh kryeministri Rama.

Një qytetar tregoi se ka gjetur zgjidhjen pas adresimit të problemit në platformën e bashkëqeverisjes:

“Unë kam ndërtuar një shtëpi në tokën private në 1997, deklarimi është bërë dy herë në vitin 2000 dhe 2005. Tani skam ç’të them më tepër, sepse problemi është i qartë. Dua të falënderoj edhe stafin e platformës, të cilët janë tepër korrekt në përcjelljen dhe zgjidhjen e problemeve”, tha qytetari.

Rama mes të tjerash u shpreh se ka filluar të mbillet fara e vetëdijes në administratën shtetërore. “13 vite të humbura që të mori 10 ditë për t’u kryer. Por nga ana tjetër më vjen mirë që të informohet edhe publiku që na ndjek se vihet re një rritje e rasteve të zgjidhura dhe kjo lidhet me presionin e bashkëqeverisjes, por edhe me faktin se ka filluar të mbillet fara e vetëdijes. Ky presion sjell një përmirësim, sepse i jep qytetarit një fuqi tjetër”, shtoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë