Futboll

Plas te Bajerni, Nojer i papërmbajtshëm: Problem drejtimi!

Që kur ka ardhur trajneri Niko Kovaç, Bajern Mynih ka hasur shumë vështirësi për të mbajtur kreun e klasifikimit në Bundesligë. Edhe këtë sezon nuk ka shumë motive për të buzëqeshur te bavarezët, të cilët po zhgënjejnë në rezultate.

Kampionati gjerman ka disa protagonistë këtë sezon, disa në sensin pozitiv dhe të tjerë në sensin negativ. Bundesliga imagjinohet gjithmonë me Bajernin në majë të renditjes, por që kur ka ardhur Niko Kovaç bavarezët kanë hasur shumë vështirësi. Kampionatin e fundit ia dolën gjithsesi në fund të fitonin titullin kampion dhe kjo është arsyeja e vetme që e mbajti kroatin në stol. Fillimi i këtij sezoni nuk u jep aspak optimizëm as trajnerit dhe as kupolës drejtuese të klubit të madh gjerman. “Bild”, pas barazimit me Augsburgun, shkruante: “Bajerni digjet”.

Janë javët e para dhe asgjë nuk është humbur. Skuadrat e tjera po përpiqen të përfitojnë nga rrëshqitjet e kampionëve në fuqi, që tani mbajnë vendin e tretë, por janë vetëm 1 pikë pas Borusia Mënshegladbah dhe me pikë të barabarta me Volfsburgun. Gjithsesi, kjo nuk mjafton. Drejtuesit e Bajernit janë dukur shumë të inatosur pas ndeshjes së fundit. Hënes i ka dribluar gazetarët, duke thënë “nuk kam kohë”, kurse Rumenige ishte pak më misterioz në deklaratën e tij. “Kohë kam, por nuk do them asgjë”, - u shpreh ai. Shumë më i qartë u shfaq kapiteni Manuel Nojer, i cili vuajti makthin e çdo portieri ndaj Augsburgut: pësoi golin e parë pas 26 sekondash dhe të dytin në kohën shtesë. Mjaftueshëm për ta inatosur.

Niko Kovaç, trajneri i Bajernit, i kritikuar nga kapiteni Nojer. Gazeta Si, 20 tetor 2019

“Vetëm katër fitore në tetë ndeshje, ky nuk është niveli ynë. Nëse pëson gol pas sekonda pasi nisi ndeshja dhe një tjetër pak sekonda para se të mbyllet ajo, diçka do të thotë. Ky është një problem drejtimi dhe mendjeje. Ky nuk është Bajerni”, - ka thënë portieri gjerman, duke shigjetuar trajnerin Niko Kovaç, edhe pse nuk e ka përmendur me emër. Asgjë pozitive dhe asgjë e re për trajnerin kroat, stoli i të cilit nuk ka qenë kurrë solid që kur ka marrë drejtimin e Bajernit të Mynihut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë