Drejtësia

Plani për vrasjen e ‘Akilit’, Rexhep Rapi kërkon ndryshim të masës së sigurisë për arsye shëndetësore

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme pranoi këtë të hënë kërkesën e avokatëve të Rexhep Rapit, i njohur ndryshe edhe si Kep Arapi për të caktuar ekspert që të kryejnë ekspertizën mjekësore të tij.

Sipas burimeve, Arapi pretendon se ka probleme shëndetësore që mund t’i rrezikojnë jetën në qeli.

Arapi, i njohur ndryshe edhe si i “forti i Sukhit", është një emër i njohur për policinë, pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në një tentativë vrasjeje së bashku me Dedan Gjonin në kohën kur ky i fundit ishte pjesë e policisë së Durrësit.

Rexhep Rapi, nipi i tij Algert Rapit, Devi Gjermeni dhe ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin siguruar kushtet dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e Xhevdet Plakut, i njohur edhe si “Akili”.

Ndaj tij rëndojnë një sërë akuzash nga “organizimi i emigracionit të paligjshëm”, drogë, grup i strukturuar kriminal, por ka edhe dosje të tjera që kanë të bëjnë në lidhje me pronat në Gjirin e Lalzit.

Arapi u arrestua në mars të këtij viti në Rinas, pasi rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Apelit Genova, e ka dënuar në mungesë me 7 vjet burgim, për veprën penale “organizimi i emigracionit të paligjshëm”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur dhe 4 vjet.

Në korrik të vitit 2021, Arapi u arrestua për armë pa leje. Ai u arrestua në lokalin në pronësi të tij në Maminas. Në mars 1991, Arapi u akuzua për vrasjen e një personi për gjakmarrje. Më vonë u lirua për mungesë provash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë