Bota

Plani për energjinë, Gjermania ndan 200 miliardë euro për të përballuar kostot

Gazeta Si - Gjermania ka njoftuar një paketë ndihme prej 200 miliardë euro që përfshin një kufi të çmimit të gazit dhe një sërë masash për të mbrojtur bizneset dhe konsumatorët nga rritja e kostove të energjisë.

"Çmimet duhet të ulen", tha kancelari Olaf Scholz. Në dritën e asaj që ndodhi me tubacionet e gazit Nord Stream, "është e qartë se së shpejti gazi nuk do të furnizohet më nga Rusia. Megjithatë, Gjermania është e përgatitur mirë për ndryshimin e situatës", siguroi kancelari.

Fondi prej 200 miliardë eurosh, sipas Scholzit, është krijuar për t'u siguruar që Gjermania mund të përballet me pasojat e rritjes së çmimeve "këtë vit, vitin e ardhshëm dhe atë pas tij".

Gjermania, e cila ka qenë shumë e varur nga importet e lëndëve fosile djegëse nga Rusia për të plotësuar nevojat e saj energjetike, është vënë nën stres pasi furnizimet nga Moska po pakësohen.

Njoftimi i së enjtes u bë pasi inflacioni u rrit në nivelin më të lartë në 70 vjetët e fundit, në 10 për qind në shtator, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë.

"Ne e gjejmë veten në një luftë energjetike mbi mirëqenien dhe lirinë", tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.

Vendosja e kufirit për çmimin e gazit duhet të mbulojë "të paktën një pjesë" të gazit të përdorur nga familjet dhe bizneset, duke "ruajtur thirrjen për të reduktuar përdorimin e gazit" gjatë dimrit, pasi furnizimet janë të kufizuara, tha qeveria në një deklaratë.

Në të njëjtën kohë, qeveria do të punojë për të kufizuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët, duke hequr fitimet e marra nga kompanitë energjetike që kanë përfituar nga rritja e çmimeve të gazit, por që nuk përdorin burimin e energjisë për të prodhuar energji.

Gjermania pati planifikuar që t'i ndalë të gjitha centralet bërthamore në fund të këtij viti, mirëpo lufta në Ukrainë ka rritur shqetësimet se shtetit do t’i duhet të shfrytëzojë të gjitha burimet e energjisë për të kaluar dimrin.

Perëndimi e ka ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.

Për pasojë, Rusia e ka zvogëluar sasinë e gazit që çon në Evropë, duke rritur shqetësimet për dimër të vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë