Politike

Plani ekonomik i PD, Basha: Taksë e sheshtë dhe reduktim taksash për biznesin e vogël

Pasi deklaroi se qeveria e Edi Rama nuk ka arritur që të thithë një investim madhor të huaj në Shqipëri pas 2013, Lulzim Basha shpalosi programin ekonomik të Partisë Demokratike në një takim me biznesin në Fier.

Basha prezantoi pesë masa për biznesin e vogël dhe punëtorët, duke filluar që më rritjen e pragut në 140 mln lekë xhiro, e deri tek përsëritja e pagës minimale prej 300 eurosh.

“Do të konsiderohet biznes i vogël çdo biznes me xhiro vjetore nën 14 milionë lekë të reja në vit dhe do të përjashtohen nga detyrimi absurd i TVSH. Do të eliminiminohen të gjitha tarifat lokale dhe qendrore, dhe do të përqendrohen në një taksë të vetme prej 0.5% të xhiros vjetore. Ngjitja e pullës fiskale në hyrje të biznesit të vogël do të jetë mesazhi i ndalimit të pranisë së çdo inspektori tatimor dhe çdo lloj tatimori, për t’i dhënë fund terrorit nën të cilin gjendet sot, sidomos biznesi i vogel. Eliminimi i taksës “Rama” mbi karburantin. Vendosjen e rrogës minimale prej 300 euro”, premtoi Basha.

Kreu i PD njoftoi gjithashtu edhe moratoriumin për inspektoriatin tatimor. Çfarë nënkupton ky moratorium?

“Nuk do të shikoni tatimor me sy. Nuk do të shihni të tillë banditë me sy dhe nëse i shikoni do të shkojnë për ndjekje penale. Ne do të nisim me shkrirjen e këtyre inspektoriateve brenda gjashtë muajve duke reformuar, e që të mos kthehen në banda duke terrorizuar biznesin dhe duke e kthyer me klimën më të keqe në Europë dhe ndër më të këqinjtë në botë”, sqaroi Basha.

Basha citoi raportin e Bankës Botërore për korrupsionin dhe foli për nivele alarmante të tij pas 2013. Basha foli për pengesa reale dhe virtuale me taksa e tarifa të fryra, që Qeveria aktuale i ka vënë biznesit dhe shpalosi zgjidhjen që propozon PD.

“Ku ka tra, ka edhe tarifë, ka edhe gjobë. Sa më shumë trarë aq më shumë gjoba. Trau vendoset pikërisht për t’i lënë dorë të lirë atij që ka dorën tek trau ta ngrejë apo ta ulë sipas qejfit dhe jo sipas ligjit. Prandaj hapi ynë kryesor do të jetë eliminimi i këtyre trarëve. Si do t’i eliminojmë këto trarë?! Duke eliminuar mbi 2/3 e rregullave që kanë vendosur për leje, për tarifa, për licenca, për pagesa shfrytëzimi, për shkolla, etj, duke i eliminuar. Nëse nuk ka trarë atëherë nuk do të ketë as dorë tek trau për të vendosur gjobën”, deklaroi Basha,

Sa i takon modelit të taksimit, kreu i PD-së përsëriti zotimin e opozitës për të shfuqizuar taksën progresive të socialistëve dhe t’iu rikthyer taksës së sheshtë, madje në nivel më të ulët nga sa ishte para 2013

“Ky do të jetë edhe ndryshimi ma i madh në raport me realitetin e sotëm, më pak taksidarë, më pak rregulla, rregulla të thjeshta, të qarta, taksa të ulëta, taksa të sheshta, të pagueshme, ku gjithsecili të paguajë më pak dhe të ardhurat të mblidhen që të kryhen investimet e duhura të qeverisë”, premtoi kreu i Partisë Demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë