Futboll

Plani anti-krizë i Guardiolës, 120 milionë për të shpëtuar Sitin në janar

Kurrë më parë Pep Guardiola nuk ka qenë kaq poshtë. Mançester Siti është në vend të 4-t në Premier League dhe 9 pikë pas Liverpulit kryesues, çka do të thotë se titulli i tretë radhazi është shumë larg. Kampionët e Anglisë rrezikojnë të mbeten prapa në raport me klubet e tjera të mëdha të futbollit europian dhe trajneri Guardiola po mendon që tani për masat që duhen marrë në janar.

Nga portofoli i sheikut Mansur ai pritet të shpenzojë edhe më shumë se deri tani për të garantuar qëndrimin e Mançester Sitit në nivele të larta. “Daily Mail” bën me dije se lëvizja e parë është rionovimi i disa kontratave me lojtarët aktualë, ndërsa më pas spanjolli synon t’i shtojë organikës edhe tre lojtarë me kualitet. Njëri prej tyre me siguri do të jetë mbrojtës për të zëvendësuar Vinsent Kompani, i larguar në fund të sezonit të shkuar. Po ashtu, Guradiola po kërkon edhe zëvendësuesit e David Silvës dhe Serxhio Agueros. Gjithmonë duke iu referuar tabloidit anglez, këto ndërhyrje do të kushtojnë 100 milionë stërlina, që do të thotë pak a shumë 120 milionë euro.

Pep Guardiola. Gazeta Si, 13 nëntor 2019

Guradiola është në “provim” gjatë kësaj kohe. Nga burime të gazetës britanike është bërë e ditur se spanjolli kërkon t’i respektojë deri në fund 18 muajt e mbetur të kontratës, por rikthimi në Spanjë i bashkëshortes së tij, Kristinës, ka hapur skenarë të rinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë