Drejtësia

Planet në ‘letër’ të Laert Haxhisë për të vrarë 2 prokurore, reagon Komuniteti i Prokurorëve: Nuk frikësohemi

Komuniteti i prokurorëve doli me një deklaratë të përbashkët në lidhje me publikimin e të dhënave nga operacioni i fundit “never forget” gjatë së cilit u zbulua se grupe kriminale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore kishin ndërmarrë hapa për eliminimin e dy prokurorëve.

Teksa shprehu solidaritetin për prokurorët dhe familjarët e tyre, Komuniteti i prokurorëve shtoi se ngjarje të tilla nuk do ta lëkundin angazhimin e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë për vijimin e pandërprerë të ushtrimit të detyrës me kurajo, dinjitet, profesionalizëm dhe motivim, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të kujtdo që është subjekt i një vepre penale apo veprimtarie kriminale.

Mes të tjerash, Komuniteti i Prokurorëve kishte dhe një thirrje për aktorët e komunikimit publik dhe politikën.

“Shpresojmë që momente të tilla të shërbejnë si reflektim edhe për segmente të caktuara të jetës publike, politike, mediatike e më gjerë, të cilët, jo pak herë, shpërfillin publikisht normat bazë të respektimit të funksionit dhe figurës së magjistratit në një shoqëri demokratike, duke krijuar një klimë që frymëzon sulme personale ndaj magjistratëve, të lidhura ngushtësisht me detyrën

Së fundmi, ftojmë dhe inkurajojmë të gjithë aktorët e komunikimit publik në vend, që të kontribuojnë në ravijëzimin e një qasjeje të re më konstruktive dhe besimplotë karshi sistemit të drejtësisë, si premisa për garantimin dhe jetësimin e parimeve të një shteti të së drejtës”, shkruhet mes të tjerash në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë