Drejtësia

Plagosi efektivin e policisë, arrest me burg për Klered Bozhanajn

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Klered Bozhanaj, i cili mbrëmjen e së mërkurës plagosi efektivin e policisë Edlir Alleshi.

Pas ngjarjes ai u largua nga vendi i krimit dhe u prangos 24 orë pasi u rikthye sërish aty.

Pasi u arrestua, ai u ka thënë punonjësve të policisë: “Jam komandant i Pentagonit!”

Hetuesit e kanë marrë dy herë në pyetje për shkak të deklarimeve të paqëndrueshme që ka bërë ai përpara tyre. Nisur nga këto deklarime dhe sjelljes së tij të pazakontë, Prokuroria e Tiranës pritet të kërkojë një ekspertizë për shëndetin e tij mendor.
Paqëndrueshmëria e 41-vjeçarit është konfirmuar dhe nga babai i tij, Vitri Bozhanaj.

Ai ka pohuar se djali i tij kishte shfaqur probleme sapo ishte kthyer nga Italia 1 vit më parë, pas një konflikti me punëdhënësin e tij atje.
Efektivi Edlir Alleshi së bashku me 3 kolegë të tij, po patrullonin kur kanë parë që Bozhanaj që është shkëputur nga bashkëshortja dhe djali dhe ka nisur të bëjë disa lëvizje të dyshimta.

Kur policët i kanë bërë shenjë të ndalojë, ai është larguar me vrap dhe në hyrje të pallatit ka qëlluar efektivin Edlir Alleshi me këtë pistoletë që kishte me vete pa leje dhe ka mundur të largohet.

Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj tij akuzën për “Vrasjes së punonjësit të policisë e mbetur në tentativë” që sipas nenit 79 B të Kodit Penal dënohet jo më pak se 30 vjet burg ose me burgim të përjetshëm. Ai akuzohet edhe për “Armëmbajtje pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë