Drejtësia

Pjesë të një grupi kriminal, ekstradohen 2 shqiptarë nga Gjermania dhe Spanja

Gazeta Si- Ekstradohen nga Gjermania dhe nga Spanja, 2 shtetas me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GjKKO-ja, për veprimtari kriminale, të kryera në kuadër të 2 grupeve kriminale.

Mësohet se nga Frankfurti u ekstradua një 33-vjeçar i lindur në Palestinë, i akuzuar si organizator i disa rasteve të dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt 4500-5000 eurove/person, për kalim ilegal në shtetet e BE-së, nga deti dhe nga toka.

Ndërsa nga Barcelona u ekstradua një 31-vjeçar shqiptar, i akuzuar për shitje dhe për trafikim të lëndëve narkotike.

Ky operacion u zhvillua si pasojë e bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët gjermanë dhe ata spanjollë, me qëllim kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në reagimin zyrtar bëhet me dije se nga Frankfurti u ekstradua 33-vjeçari, Ahmed Sulltan shetas i lindur në Palestinë pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar 33-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Ky shtetas akuzohet se është organizator i një grupi kriminal, i cili nga viti 2020, ka kryer disa raste të dhënies ndihmë emigrantëve nga Lindja e Mesme, kundrejt 4500-5000 eurove/person, për kalim të kundërligjshëm në shtetet e BE-së, përmes rrugëve detare dhe atyre tokësore.

Ndërsa nga Barcelona u ekstradua 31-vjeçari lindur në Sukth. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar 31-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Gjergj Zefi  akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që mbante, transportonte, shiste dhe trafikonte lëndë narkotike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë