Futboll

Pioli pranë lamtumirës, Milani kërkon rikthimin e Alegrit

Klimë e tensionuar te Milani, pas humbjes me përmbysje në derbin me Interin. Ai që mund ta pësojë është trajneri Stefano Pioli, kontrata e të cilit skadon në vitin 2021. Pozicioni i Piolit është lëkundur fort dhe sipas asaj që shkruan “Gazzetta dello Sport”, pa kualifikimin në Champions League, lamtumira e tij para kohe është e sigurt.

Janë numrat që e dënojnë trajnerin e kuqezinjve. Pioli erdhi në janar për të zgjidhur problemet te Milani, pas largimit të Xhampaolos. Në atë kohë vendi i katërt ishte 4 pikë larg, kurse sot Atalanta që e mban këtë vend është 10 pikë para. Këtë periudhë skuadra e Piolit ka pasur shumë luhatje, ngritje me 5 fitore radhazi në janar në kampionat dhe Kupë Italie, por edhe me ulje si humbja e tmerrshme në Bergamo apo dhe 4 shpullat e marra në derbi. Po ashtu, në 6 ndeshjet me 5 skuadrat e kreut, Milani nuk ka marrë asnjë pikë. Në këto kushte, parakalimi i Atalantës duket vërtet i pamundur.

Stefano Pioli, trajneri i Milanit. Gazeta Si, 11 shkurt 2020

Klubi nuk ia ka kërkuar kurrë zyrtarisht Championsin trajnerit Pioli, por është e qartë se kualifikimi për në kompeticionin madhor në Europë është objektivi kryesor për të lëvizur mekanizmat sportivë dhe ekonomikë që do ta çonin sërish Milanin mes më të mëdhenjve të Europës. Drejtuesit e Milanit i njohin meritat e Piolit (rritjen e vlerës së Rebiç dhe Benaser), por sipas “Gazzetta dello Sport” as fitimi i mundshëm i Kupës së Italisë nuk do të mjaftonte për ta shpëtuar trajnerin nga shkarkimi.

Milani ka nevojë për fitimet e Championsit. Dhe për këtë arsye klubi po sheh mundësinë për t’ia besuar stolin një emri që jep garanci për sukses. Në Gjermani ka dalë në skenë emri i Rangnik si trajner dhe drejtor sportiv i mundshëm i Milanit, ndërsa e përditshmja italiane shkruan se kandidati kryesor është Masimiliano Alegri, një trajner që e njeh mirë Serinë A.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë