Motosport

Piloti rus hedh skuderinë amerikane në gjyq për pagat

Gazeta Si - Piloti rus, Nikita Mazepin, u përjashtua nga skuderia Has pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Së fundi ai ka pohuar për shtypin rus se ka ndjekur rrugët ligjore ndaj skuderisë amerikane, sepse nuk është paguar.

Mazepin ka konfirmuar se ka hedhur në gjyq skuderinë Has. Piloti rus, bashkë me kompaninë e babait të tij ‘Uralkali’, në atë kohë sponsor i skuadrës amerikane të Formula 1, u përjashtuan pas luftës në Ukrainë. Ishte pjesë e sanksioneve ndaj Rusisë për pushtimin.

Nikita Mazepin, piloti rus i Formula 1. Gazeta Si, 21 qershor 2022

Mazepin, që së fundi ka krijuar edhe një fond për të mbështetur sportistët e tjerë të goditur nga këto sanksione, vendosi të ndiqte rrugët ligjore ndaj Has.

"Kur kontrata u zgjidh, Has kishte paga të prapambetura ndaj meje, - ka thënë piloti rus për ‘Championat’. – Këto paga nuk kanë kaluar ende. Punëdhënësi duhet të më likuidojë për pagën të paktën deri në momentin e shkarkimit.

Dhe kur e gjithë bota të merr me shkelma, kjo sjellje është e gabuar. Por ky është vetëm opinion im. Po flas për detyrime kontraktuale që nuk janë respektuar".

Mazepin ka saktësuar se gjyqi i tij nuk të bëjë me çështjen e kompanisë së babait, për prishje të akordit të sponsorizimit. “Janë dy kontrata të ndara nga njëra-tjetra.

Prishja e akordit të sponsorit kryesor nuk ka pasur impakt me të ardhmen time në skuadër. Skuderia ka marrë dy vendime të ndara. Nuk jam paguar dhe tani duhet të shkojmë në gjyq, - ka theksuar piloti rus.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë