Motosport

Piloti i makinës së sigurisë mbyll diskutimet: Në Abu Dhabi 2021 Vershtapen fitoi me meritë!

Gazeta Si - Bernd Maylander ishte ai që drejtonte makinën e sigurisë në Çmimin e Madh më kontrovers të viteve të fundit. Ai ka folur për atë që ndodhi dy vjet më parë, duke ‘certifikuar’ fitoren e pilotit holandez.

Pak gara në F.1 kanë gjeneruar pathos dhe polemika si ajo e Abu Dhabit në vitin 2021. Historia dihet: dueli mes Maks Vershtapen dhe Ljuis Hemilton u fitua nga holandezi me një superparakalim në xhiron e fundit.

Një sukses u shoqërua nga akuzat e Mercedesit ndaj drejtuesit të garës, Michael Masi, sepse lejoi kalimin e pilotëve mes dy pretendentëve, duke favorizuar fitoren e Red Bull-it. Ky skenar që hidhet poshtë nga Bernd Maylander, ish-pilot dhe drejtues i makinës së sigurisë në pistë në xhirot e fundit. Makina e sigurisë hyri në pistë pas incidentit të Nikolas Latifit me Uilliams, por u thirr në ‘pit lane’ në fillim të xhiros së fundit.

Maylander ka treguar çfarë ndodhi në atë garë për ‘Auto Motor und Sport’: “Për mua ishte një çështje e mbyllur: Ljuis Hemilton dhe Mercedes kishin fituar titullin për herë të 8-të. Ndodhi e papritura dhe kuptova menjëherë në atë pikë, me atë lloj incidenti, se duhej të ndërhynim me ‘Safety Car’. Duke hyrë në pistë kuptova se Maks ishte ndalur në bokse. Në atë moment e dija që kishte përfunduar për Mercedesin”.

Atyre që e konsideruan vendimtar kalimin e pilotëve mes Hemilton dhe Vershtapen, duke lejuar holandezin të gjendej menjëherë prapa Ljuisit, Maylander u përgjigjet: “Maks do ta vononte manovrën e parakalimit vetëm dy kthesa. Pilotëve në mes do t’u tregohej flamuri blu dhe ata do të spostoheshin sa më shpejt të ishte e mundur. Nuk mendoj se rezultati final do ndryshonte”. Një analizë që do të sjellë diskutime, patjetër.

Nuk mund të pohohet se Bernd simpatizonte Vershtapen në atë kohë. “Kolegu im pilot, Riçard Darker, preferonte Maksin, ndërsa unë isha pak më shumë për Mercedesin”. Një simpati që lindi gjatë sezonit edhe për disa episode kontroverse, ku protagonist ishte holandezi në timonin e Red Bull-it:

“Më pëlqeu rikuperimi i Hemilton në garat e fundit dhe nuk i pashë pozitivisht disa manovra parakalimi të Vershtapen. Si pilot, m’u dukën pak të ashpra”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë