Motosport

Pilotët vuajtën në Katar nga kushtet ekstreme, FIA paralajmëron masa

Gazeta Si – Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit ka mbajtur qëndrim pas garës së fundit: "Pilotët nuk mund të rrezikojnë shëndetin e tyre në atë mënyrë"

FIA ka ndërhyrë pas polemikave në lidhje me kushtet klimatike, në të cilat u zhvillua Çmimi i Madh i Katar të F.1, duke pranuar se ishte një situatë ekstreme. Po ashtu, ka premtuar se do të merren masa për të ardhmen, siç mund të jetë modifikimi i kalendarit.

"FIA ka konstatuar me shqetësim se temperaturat dhe lagështia ekstreme gjatë garës së Katarit në Formula 1 patën impakt në shëndetin e pilotëve, - shkruhet në një komunikatë zyrtare të shpërndarë një ditë pas eventit. – Janë sportistë elite dhe është e papranueshme që të garojnë në kushte që rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë e tyre".

Për pilotët, gara e Losail ishte një makth i vërtetë. Logan Sargeant u detyrua të tërhiqej për shkak të lodhjes, kurse Esteban Okon pohoi se kishte vjellë në kaskë teksa drejtonte makinën. Lens Stroll dhe Aleksander Albon kishin nevojë për ndihmën e menjëhershme të mjekëve sapo përfundoi gara.

"Funksionimi i sigurt i makinave është në çdo rast përgjegjësi e atyre që garojnë, vazhdon mkomunikata. Por siç ndodh për çështje të tjera që lidhen me sigurinë, si infrastruktura e cirkuiteve, FIA do të marrë masa të arsyeshme për ta stabilizuar dhe krijuar parametra të pranueshëm për garat. FIA do të analizojë atë çfarë ndodhi në Katar për të pasur orientimin e duhur në të tilla situata të kushteve meteorologjike ekstreme në të ardhmen.

Gara e vitit të ardhshëm në Katar është parashikuar të zhvillohet në fund të nëntorit, kur temperaturat janë më të ulëta. FIA preferon të marrë masa konkrete për të evitruar përsëritjen e skenarëve si ai i garës së fundit”, - shkruhet në komunikatën e FIA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë