Bota

Pikëpyetjet që po lindin në Kabul. Pse dy udhëheqësit kryesorë talebanë po mungojnë në publik?

Dy udhëheqës të lartë talebanë janë zhdukur nga daljet në publik, duke bërë që disa afganë të pyesin nëse udhëheqësi suprem i grupit dhe zëvendëskryeministri i ri janë gjallë, shkruan “The Guardian” në një artikull të saj

Udhëheqësi i lartë taleban, Mullah Haibatullah Akhundzada, nuk është parë në publik një muaj pasi militantët morën kontrollin e Afganistanit.

Ndërkohë një zëdhënës ka mohuar zërat për vdekjen e tij.

Mullah Abdul Ghani Baradar, një nga fytyrat më të njohura të talebanëve, gjithashtu është zhdukur.

Pyetjet në lidhje me fatin e figurës kryesore në bisedimet e paqes filluan të shtohen pasi ai nuk u pa në publik për disa ditë.

Disa zëra në Kabul thonë se ai ishte vrarë ose plagosur rëndë në luftë me një figurë tjetër të lartë talebane gjatë një debati mes tyre se si të ndaheshin ministritë e Afganistanit.

Përpjekjet zyrtare të hënën për të shpërndarë thashethemet duket se e thelluan misterin.

Talibanët shpërndanë fotografi me një shënim të shkruar me dorë nga një prej zëvendësve të Baradarit që thoshte se ai ishte në Kandahar, më pas ndanë një mesazh audio që pretendohet të jetë po nga Baradar.

Mungesa e një video ngriti më shumë pyetje tek afganët pasi talebanët nuk janë më një grup kryengritës që fshihen, dhe fytyra e Baradarit është e mirënjohur për shkak të rolit të tij ndërkombëtar.

Zëdhënësi Suhail Shaheen mohoi thashethemet në Twitter.

"Mullah Bradar, zëvendëskryeministër, Emirati Islamik i Afganistanit, në një mesazh zanor hodhi poshtë të gjitha ato pretendime se ai ishte plagosur ose vrarë në një përleshje. Ai thotë se janë gënjeshtra dhe krejtësisht të pabaza, "shkroi ai, duke përdorur një drejtshkrim alternativ të emrit të udhëheqësit.

Videot dhe një fotografi e shpërndarë gjithashtu në internet, që supozohet të tregojë Baradarin në Kandahar, nuk sqarojnë asgjë mbi kohën apo periudhën se kur ato ishin marrë.

Regjistrimi mund të ketë nxitur më shumë teori. Siç ishte rasti i vdekjes së udhëheqësit themelues Mullah Mohammad Omar që u fsheh për dy vjet dhe, gjatë asaj kohe, talebanët vazhduan të lëshonin deklarata në emër të tij.

Baradar përflitet se ka humbur në mosmarrëveshjet e brendshme të talebanëve mbi formimin e qeverisë së re, sipas Rrjetit të Analistëve në Afganistan.

Nga tre burrat drejtues, Baradar ishte i vetmi që nuk kishte siguruar një ministri të madhe. Udhëheqësit ushtarak Jakub Omarit, djalit të udhëheqësit themelues të grupit, iu dha ministria e mbrojtjes dhe Sirajuddin Haqqani siguroi ministrinë e brendshme.

Rrjeti i Analistëve të Afganistanit gjithashtu vuri në dukje se mungesa e Akhundzada nga të gjitha ngjarjet publike dhe private, gati një muaj pasi Kabuli ra, të çojnë në teorinë se ai nuk ishte më gjallë.

Pershtati ne shqip; Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë