Njerez

Pikëpyetjet që ngre karantinimi në hotel i emigrantëve të riatdhesuar

Avioni i parë i “Air Albania”

Qeveria u ka vënë kushtin e karantinimit nëpër hotele të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbetur të bllokuar jashtë Shqipërisë, por që duan të rikthehen me rihapjen e programit të riatdhesimit. Por, emigrantët ngrenë disa pyetje drejtuar institucioneve.

Julian Saraçi është njëri prej shqiptarëve që duke shfrytëzuar rihapjen e programit të riatdhesimit javën e ardhshme synon që të rikthehet në atdhe, edhe duke qëndruar me paratë e tij për 14 ditë në hotele në Durrës për të plotësuar kushtin e vendosur nga Qeveria të karantinimit.

Juliani jeton në Londër dhe prej andej ngre publikisht shqetësimin mbi kushtet higjieno-sanitare dhe respektimit të rregullit të distancimit fizik, që prej hipjes në avionët e “Air Albania” e deri në hotele. Ai thotë se të njëjtin shqetësim ndajnë edhe 168 emigrantë të tjerë të mbetur jashtë kufijve në Itali, Gjermani e Francë.

“A do të ruhet distancimi social në avionët e Air Albania dhe transportin nga aeroporti në hotel? Për sa u përket hotele, a janë të higjienizuar, dezinfektuar dhe pastruar në lidhje me krevatet, dyshemenë, frigoriferin dhe ambientet e tjera të brendshme? Po tualetet dhe dhomat e hoteleve a do të jenë individuale? Po shefat e kuzhinës dhe stafi që do të gatuajë ushqimin dhe stafi që do të lajë enët, a është i trajnuar dhe a do të ketë ndjekje protokollesh për sa i përket ruajtjes nga koronavirusi?”, thotë ai.

Këto pyetje, Juliani ua drejton institucioneve që do t’i mundësojnë rikthimin në Shqipëri kundrejt pagesës së biletës së udhëtimit, por edhe të qëndrimit në hotel për 2 javë. Gjithashtu, ai thotë se në vendet ku janë, emigrantët janë të karantinuar, ndaj ngre pyetjen se përse paskan probabilitet më të lartë për të qenë bartës të virusit?

Si zgjidhje, propozohet që t’u merret tamponi që në momentin që zbresin në aeroport dhe ata që rezultojnë negativë shkojnë në shtëpitë e tyre. “Për siguri, do të sugjeronim që të qëndrojmë tri ditë në hotel, dhe gjatë këtyre tri ditëve të na merret tamponi tri herë për të konfirmuar praninë e virusit apo jo”, thotë Julian Saraçi.

Në fund, ai ngre dyshimet edhe mbi kushtetueshmërinë në trajtimin e emigrantëve që duan të rikthehen në këtë fazë të dytë riatdhesimi. “Pse të kthyerit e parë nuk ndoqën të njëjtën metodë në lidhje me karantimin? Pra, është një diskriminim i pastër i trajtimit të qytetarëve totalisht në shkelje të Kushtetutës”, deklaron Saraçi.

Një tjetër shqetësim që ngrihet nga emigrantët është edhe çmimi për hotelet ku do të karantinohen. Qeveria thotë se çmimi minimal do të jetë 2500 lek, përfshirë 3 vakte ushqim. Saraçi jep dy arsye se përse oferta është e fryrë, sipas tij.

“Së pari, kur bëhen rezervime në masë siç është rasti i riatdhesimit dhe full-inclusive ka zbritje të konsiderueshme. Së dyti, oferta për hoteleri është shumë e madhe. Kërkesa për hoteleri është pothuajse zero pasi jemi në izolim total. A ka ndonjë ekonomist, përveç militantët të PS, që mund ta justifikojë këtë çmim? Pra, thënë thjesht, jemi 10 veta dhe kemi 1000 dhoma të lira. Ajo që normalisht ndodh është që 1000 dhomat konkurrojnë duke e ulur çmimin edhe nën kosto pasi edhe sikur të zihen 10 dhoma do ketë 990 dhoma bosh”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë