Futboll

Pikëpyetjet e mëdha të licencimit të klubeve dhe gara e kompromentuar

Superiorja uli siparin e saj më 30 maj, duke i dhënë fund kampionatit të 80-të kombëtar të futbollit, i shoqëruar me shumë problematika, që kulmuan me përjashtimin e Kamzës dhe zbritjen e saj në Kategorinë e Dytë, si dhe me një ekip të ri kampion: Partizanin. Një titull plotësisht i merituar për Partizanin, që realizoi një ëndërr 26-vjeçare me trajnerin Skënder Gega në krye. Të kuqtë shkojnë në Champions League dhe nuk kanë shumë kohë për të festuar, sepse Europa kërkon përgatitje shumë serioz dhe natyrisht, përforcime.

Gara ishte e drejtë në pjesën më të madhe të kampionatit, sidomos para përjashtimit të Kamzës, por jo në javët e fundit. Përveç faktit që skuadrat që e kishin realizuar objektivin nuk kishin pse të “thyenin kockat” në ndeshjet e fundit, një ndikim të fortë ka pasur çështja e licencimit të klubeve tona për pjesëmarrjen në Europë. Një çështje shumë e rëndësishme, ku tolerimi është i pamundur që prej këtij sezoni. Kushtet janë të forta, siç e ka pohuar në një intervistë për “Gazeta Si” edhe shefi i sektorit të licencimeve në FSHF, Eduard Gjini. Emrat e klubeve që nuk janë licencuar nuk janë bërë të ditur zyrtarisht, por pak a shumë u kuptua nga sjellja në ndeshjet e fundit se cilët janë ata. FSHF e di, klubet me probleme e dinë, edhe pse nuk guxojnë t’ua thonë në sy futbollistëve të tyre. Situata është vërtet e çuditshme, pasi ka shumë mundësi që Shqipëria të përfaqësohet në Europa League edhe me vendin e 6-të të kampionatit, me Laçin, nëse Kupën e fiton Kukësi.

Nga ndeshja Teuta-Laçi,2-0

Pse? Sepse Flamurtari, që është më lart se Laçi në renditje, flitet se nuk është licencuar për në Europë, merret me mend lehtë, për shkak të borxheve të prapambetura. Është ekipi që ishte shumë pranë vendit të tretë dhe që e meritonte një vend në Europë për futbollin që ka zhvilluar dhe për faktin se futbollistë e tij nuk janë paguar prej shumë muajsh, por janë treguar profesionistë. Skënderbeu, që po ashtu e mbylli kampionatin më lart se Laçi, varet nga përgjigja e KAS-it, që pritet gjatë muajit qershor. Partizani, Kukësi dhe Teuta e kanë të sigurt Europën. Teorikisht, edhe Tirana ka shanse të mëdha për të shkuar në Europë, por edhe në këtë rast është çështja e licencimit në mes. Edhe për Tiranën, që ka një problematikë të njohur me borxhet, flitet se nuk është licencuar, kështu që në këtë rast përfiton Laçi, vendi i 6-të i kampionatit.

Të gjitha këto problematika kanë pasur ndikim në ndeshjet e javëve të fundit të kampionatit, duke e kompromentuar garën. Për shembull, nëse Flamurtari do të ishte i licencuar për në Europë, do të luftonte fort në ndeshjen e fundit me Tiranën, ku kjo e fundit fitoi rivalitetin me Kastriotin dhe siguroi mbijetesën në Superiore. Po ashtu, gjithmonë nëse vlonjatët nuk do ta kishin këtë problem, Laçi do të ndihej i rrezikuar për Europën dhe nuk do të ishte aq “i butë” në dy ndeshjet e fundit, ku u mund 1-3 në fushën e tij nga Tirana dhe 2-0 nga Teuta në transfertë. Nëse edhe Tirana nuk është licencuar, atëherë i bie që finalja e Kupës së Shqipërisë të jetë për “qejf”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë