Futboll

Licencimi i klubeve, problemi financiar dhe risitë e UEFA-s!

Fatjon Rupi – Licencimi i klubeve është një nga çështjet më të rëndësishme në futbollin shqiptar, që në përgjithësi nuk i ka qejf rregullat. Shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë, por ka ende shumë për të bërë. Sezonin e kaluar ishin katër klube që nuk u licencuan për në kupat e Europës, sepse ishin në debit. Po këtë vit, a klube që rrezikojnë? Aktualisht, problemi i licencimit të klubeve tona për në kompeticionet europiane është në mesin e tij dhe deri më 31 mars komisionet përkatëse do të kenë vendosur. I sigurt është fakti se UEFA nuk toleron më.

Për të kuptuar më qartë se çfarë problematikash ka në këtë drejtim, për zgjidhjen e tyre dhe risitë e kritereve të vëna nga UEFA, shefi i sektorit të licencimeve në FSHF, Eduard Gjini, tregon me detaje për Gazeta Si situatën aktuale dhe mënyrën si funksionon kjo hallkë. Sipas tij, problemi kryesor për licencimin e klubeve është ai financiar, por zgjidhjet ekzistojnë në çdo rast. “Sistemi i licencimit ka 10 vjet që ka filluar në Shqipëri dhe ka ardhur duke u përmirësuar. Për të marrë pjesë në kompeticionet e UEFA-s, klubet tona duhet të plotësojë 5 kritere: kriterin sportiv, infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe financiar”, – shprehet në fillim Gjini.

Eduard Gjini, shefi i sektorit të licencimeve në FSHF, duke folur për Gazeta Si

Shefi i sektorit të licencimeve flet më tej me detaje për çdo kriter: “Për kriterin sportiv është e thjeshtë, sepse ato që vendosin janë pikët. Pra duhet të kesh pikët për të luajtur në Europë. Pastaj, çdo klub që do të marrë pjesë në kupat e Europës, duhet të ketë një program të zhvillimit të fëmijëve. Lojtarët e akademisë duhet t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore, duhet të arsimohen. Po ashtu, duhet që kapiteni, zëvendësi i tij apo trajneri ose zëvendëstrajneri, të azhornohen me të rejat e rregulloreve, sepse ka ndryshime. Për shembull: ndërhyn një mbrojtës dhe e dëmton një lojtar, arbitri jep karton të verdhë. Me futjen e mjekut, lojtari i dëmtuar të dalë jashtë, por nëse kundërshtari merr të verdhë, lojtari nuk del jashtë. Ky është një ndryshim. Çdo klub që luan në Europë, duhet të ketë patjetër 4 skuadra të sistemit zinxhir, 2 skuadra të moshave nga 10 deri në 14 vjeç, të rinjtë dhe paratërinjtë. Për t’u licencuar në kampionat duhet të ketë 3 skuadra moshash dhe më pas numri zbret sipas kategorive”.

Kushtet e vëna nga UEFA kohët e fundit janë shumë të rrepta dhe nuk ka më “bëj një sy qorr dhe një vesh shurdh”. “UEFA i ka kushtuar vëmendje të veçantë kriterit infrastrukturor. Detyrimisht një mjek duhet të jetë i pranishëm në seancat stërvitore, të gjitha klubet duhet të kenë dhomë mjekësore, një defibrilator dhe kutinë e ndihmës së shpejtë, që të mos ketë rrezik për humbje jete”, – thekson më tej Gjini. Në këtë kriter bëjnë pjesë edhe stadiumet: “Për stadiumet ka një koeficient dhe turet e para luhen në stadiumet me koeficientin 2. Skënderbeu ka luajtur në Korçë dy turet e para, më pas në “Elbasan Arena”. Nga turi i tretë e lart duhen stadiume me koeficientin 4, që janë ai i Elbasanit dhe Shkodrës, si dhe “Arena Kombëtare” që pritet. Të gjithë stadiumet kanë një certifikatë sigurie, që ne ua japim të gatshme dhe ata e plotësojnë. Ka kontrolle dhe certifikatat firmosen nga pronarët e stadiumit përkatës. Për ndeshjet që luhen natën duhet një certifikatë edhe nga OSHE-ja. Sa i takon kampionatit, Vllaznia dhe Bylisi, që kryesojnë për momentin në kategorinë e parë, janë në rregull me stadiumet”.

Nga një ndeshje e Kukësit në Europë sezonin e fundit

Kriteri i radhës është ai administrativ, që ka specifikën dhe problematikën e vet. “UEFA ka si kusht 14 nominime, ku çdo klub duhet të ketë 14 nëpunës. Klubet tona i kanë në këtë moment që flasim. Disa punonjës janë part-time ose vullnetarë dhe angazhohen kur ka ndeshje. Oficeri i medies, i sigurisë, i financës, trajneri, mjeku, fizioterapisti, janë të detyrueshëm dhe duhet te jenë prezentë gjithë vitin. Të gjithë duhet të kenë kontrata, diploma ose kualifikime. Ka një problem, që lidhet me nivelin e trajnerëve. UEFA kërkon nivelin UEFA Pro, por shumë skuadra ndërrojnë trajner dhe trajneri i ri nuk e ka licencën Pro. Pagesa e këstit për të nisur kursin nuk përbën përmbushje të kriterit, fillimi i kursit e përmbush këtë kriter. Për shembull, Bledar Devolli ka licencën UEFA A dhe ai duhet të nisë kursin që të plotësohet kushti, nëse Kastrioti shkon në Europë”, – sqaron Gjini.

Për kriterin ligjor gjërat janë shumë të qarta: “Çdo klub duhet të ketë formë ligjore. Shumica e klubeve e kanë të precizuar formën ligjore, por ka klube që janë në gjykatë, në proces për të marrë formën ligjore. Çdo klub duhet të sjellë një ekstrakt nga QKB-ja për regjistrimin në gjykatë. Këtë kriter po e vendosim edhe për kampionatin, ku çdo ekip duhet ta ketë formën ligjore, sepse nuk mund të luajë në të kundërt”, – shprehet Gjini.

Kriteri i fundit, më i rëndësishmi dhe më problematiku, siç e pohon vetë shefi i sektorit të licencimeve, është ai financiar. Në këtë drejtim hasen vështirësitë më të mëdha, ndaj dhe UEFA toleron pak sa i takon kohës për plotësimin e tij. Katër kriteret e para duhet të jenë plotësuar deri më 18 shkurt, kurse ai financiar deri më 31 mars. Për tolerim tjetër as që bëhet fjalë, por Gjini sqaron se ka zgjedhje edhe për klubet në situata problematike me borxhet, që në futbollin tonë nuk janë të paktë. “Sezonin e kaluar, disa skuadra nuk u licencuan nga borxhet. UEFA e ka bërë taksative. E vërteton rasti i Tiranës, që kishte probleme financiare dhe nuk mori shpërblimin nga UEFA për ndeshjet e Europa League. Rasti i Luftëtarit është ndryshe, sepse ky ekip nuk kishte probleme me licencën. Luftëtari ishte i licencuar, problemet kanë ardhur më pas për të.

Funksionon kështu: duhet një bilanc i përgjithshëm për vitin paraardhës. Kriteri financiar duhet të plotësohet deri më 31 mars, pra ka një tolerancë. Duhen plotësuar një sërë dokumentesh, projekt-buxheti, si është situata me taksat e tatimet. Ka tolerancë, sepse në mars mbyllet viti kalendarik financiar. Ka ekspertë auditimi për klubet tona, është marrë një kompani e huaj auditimi, që i ndihmon gjithë kohën për të plotësuar dokumentet. Kjo bëhet për korrektësi, që kur të merret vendimi dhe një klub e ka të qartë pse refuzohet, nëse ndodh kështu. Vitin që kaloi, Vllaznia, Flamurtari, Kamza dhe Lushnja nuk u licencuan për shkak borxhesh. Ne kemi çdo ditë takime dypalëshe me klubet, siç kërkon UEFA. Sot kemi Laçin dhe Flamurtarin. Kemi bërë mbledhjen e parë më 15 dhjetor dhe të gjithë e kanë të qartë situatën. Edhe Bylisi dhe Vllaznia, që janë në Kupë, si dhe Shkëndija për Youth League.

Tavolina e bërë gati për takimin dypalësh me përfaqësuesit e Flamurtarit dhe Laçit nga sektori i licencimeve

A ka rrezik për ndonjë klub? Nuk mund të flas pa u shprehur ekspertët. Problemi kryesor mbetet ai financiar, sepse të tjerët, pra dokumentet, bëhen. UEFA ka shtuar një klauzolë: mund të bëhet një marrëveshje nga klubet me borxhe me drejtorinë rajonale të tatimeve, apo me lojtarët, por përsëri vendos komisioni. Ka një mundësi më shumë, por ka kushte, duhet të paguash një këst, duhet të paguash 20% të shumës. Po negociojmë me çdo klub për të parë situatën”, – ka përfunduar Eduard Gjini, i cili shpreson që çdo gjë të shkojë mirë në procesin e licencimit të klubeve.

Në këtë situatë, edhe Flamurtari, Tirana apo ndonjë klub tjetër që mund të ketë borxhe, e ka një zgjidhje për të luajtur në Europë. Duhet një marrëveshje për të mos humbur Europën, sipas kushteve të bëra të ditura më larg nga shefi i sektorit të licencimeve.

 

Më Shumë