Muzike

Pianoja dhe teatri, rrëfehen në vetë të parë

Gjatë rrugëtimit vetjak me pianon, kishte vënë re, jo në pak raste, se shumë pjesë muzikore e kishin marrë frymëzimin mirëfilli nga vepra letrare. Ky vëzhgim e çoi Rea Veizin të ngjizte idenë, e cila mbrëmjen e 21 dhjetorit mori formën e një koncerti, që gërsheton disa disiplina, titulluar “Rrugëtim në vetë të parë”. Së bashku me kolegun e saj pianist, Sebastian Ene dhe aktoren e regjisoren Ema Andrea, Rea Veizi i dha jetë shfaqjes që shkrin artin klasik dhe atë bashkëkohor në performanca pianistike, teatrale me efekte autovizualë. “Kjo ishte pikënisja që koncerti të mos ishe vetëm muzikor”, ka thënë pianistja shqiptare, e cila prej gjashtë vitesh jeton në Paris, për të mos e lënë ngjarjen kulturore , në sallën e Universitetit të Arteve vetëm si një duo pianistike, por për ta sjellë në tendencat e bashkëkohësisë. Si stacion të parë, natyrshëm mendoi Tiranën. Shfaqja i gostit spektatorët me tingujt e Debussy-së që shkrihen me vargjet e Verlaine, apo pjesë nga kompozitori frëng Camille Saint Saëns me letërsinë e çekut që shkroi në frëngjisht, Milan Kundera, të gjitha këto shoqëruar nga efekte speciale pamore, nga artisti italian Michele di Pasquale. Jo vetëm shumësi zhanresh që ndërthuren për të sjellë një shije të vetme, por edhe një larmi origjinash mes artistëve pjesëmarrës.

Sebastian Ene, Rea Veizi dhe Ema Andre në koncertin "Rrugëtim në vetë të parë", 21 dhjetor, Univeristeti i Arteve, Tiranë

Pianistja Rea Veizi


Rea Veizi e nisi karrierën si pianiste që në moshën gjashtëvjeçare në Liceun Artistik “Jordan Misja në Tiranë, ku u vlerësua me çmime në konkurse kombëtare e ndërkombëtare.
Më 2008-ën, do të pranohej në Konservatorin Superior të Castellonit, Spanjë. Jetoi në Valencia derisa u diplomua më 2012-ën. Prej vitit 2013, jeton në kryeqytetin francez, duke u diplomuar në master në Shkollën Normale të Muzikës “Alfred Cortot”. Më 2015-ën, u zgjodh si artiste në rezidencën “Cite Internationale des Arts”, në Paris, ku pati mundësinë të realizonte një sërë projektesh artistike. Sebastian Ene është pianist , muzikant dhome dhe profesor nga Rumania, i cili prej vitesh jeton dhe e zhvillon karrierën, ashtu si edhe Veizi, në Paris. Në repertorin e tij muzika franceze zë një vend të rëndësishëm. Gjatë karrierës, Ene ka performuar në vende të ndryshme si Francë, Spanjë, Itali, Rumani e Suedi.

Pianisti rumun, Sebastian Ene.


Video-artisti italian, Michele di Pasquale zhvillues i teknologjive të reja, i ashtuquajtur si “kërkues shkencor i mrekullive”, me fokus në zhvillimin e softuerit për art dhe ekspozita në kohë reale. Artist 3D, që nga viti 1991, i diplomuar në Shkencat Kompjuterike, i ka aplikuar kërkimet e tij në degë të ndryshme të estetikë si në simulime për arkitekturë dhe dizajn, Reality Virtual Show për Javën e Modës së Nju Jorkut, në vitin 2017, me kërcim bashkëkohor me projeksione në kohë reale, audio vizuale reaktive për koncerte dhe festivale e instalime ndërakteve. Sot ai është i përfshirë në mësimdhënie dhe kërkime në botën e dizajnit interaktiv për performancën live.


Ema Andrea është aktore, regjisore, kuratore dhe performuese, me një karrierë të gjatë artistike, ku numëron shumë role në teatër, por gjithashtu në film dhe performanca të artit bashkëkohor. Ajo është lektore në Universitetin e Arteve në Tiranë, në gjuhën e trupit. Ka ndjekur studime pasuniversitare në vende si Danimarkë, Bullgari, Austri dhe Itali, për menaxhim arti, aktrim, film dhe mbi gjuhën e trupit. Ka bashkëpunuar në prodhimet e huaja si regjisore në shfaqje si “Davanti al vuoto” në Mantova të Italisë apo si aktore në “Hipermarketi Patriotik”, në Beograd. Është themeluese dhe menaxhere e qendrës “M.A.M.”, prej vitit 2013 dhe gjatë karrierës është nderuar me çmime në festivale të ndryshme, ku së fundi u shpall edhe aktorja më e mirë në Festivalin e Artit në Sarajevë dhe u nderua me një çmim special në Festivalin e Shkupit.


“Ishte shumë mirë që Ema iu bashkua projektit. Është jo vetëm aktore dhe regjisore e njohur, por edhe e specializuar në art kontemporan”, do të thoshte Veizi, ndërsa ka shtuar se artistët pamorë si Michele di Pasquale apo Florian Çanga, kanë realizuar video enkas për disa prej veprave të kompozitorit Claude Debussy. “Ka shumë elementë brenda dhe jashtë skenës. Edhe për ne vetë është risi”, ka pranuar pianistja. Të ardhurat e mbledhura nga shitjet e biletave të këtij koncerti, do të shkojnë për bamirësi, ka zbuluar Veizi, duke shtuar se ka kontaktuar me Burgun e Grave, në Tiranë për t’u ardhur në ndihmë të burgosurave dhe fëmijëve të tyre, në këtë periudhë prag festash. “Në kuadër të aktiviteteve që burgu i grave organizon do të luaj edhe një koncert me disa pjesë pianistike, për t’u dhënë atmosferë më të ngrohtë”, ka zbuluar më tej artistja, ndërsa ambicia e mëtejshme është që ky koncert që bën bashkë zhanre të ndryshëm të artit, të shkojë edhe në Bukuresht dhe Paris.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë