Biznes

Pezullohet koncesioni i pompave të karburanteve

Tenderi që ka në objekt privatizimin në formën e koncesionit të shërbimit të kontrollit të pompave të karburanteve është pezulluar nga prokurimet.

Koncesioni i kontrollit të pompave ka një ofertë të pakërkuar nga shoqëria “Noa Contol” e cila është shpërblyer me një bonus 10% të pikëve në një vendim qeverie.

Sipas tregtuesëve koncensioni bie ndesh me ligjin “Për metrologjinë” nga njëra anë dhe nga ana tjetër pikëzimi nuk favorizon ata që do të ofrojnë çmim më të ulët për shërbimin pasi ky kriter nuk është përfshirë.

Gjithashtu në Komisionin e Prokurimeve Publike ka mbërritur një ankesë nga kompania zvicerane e Penzoil Trading SA të cilët pretendojnë se kushtet për tenderin shfaqnin diskriminim për kompanitë e interesuara sidomos për ato ndërkombëtare. Në bazë të kësaj ata kanë kërkuar që autoritetet kompetente  të kryejnë tenderin mbi parimin e barazisë.

Aktualisht shërbimi i kontrollit të pompave të karburanteve bëhet nga institucionet shtetërore.

Koncesioni i pompave të karburantit është një propozim i pakërkuar që i është bërë qeverisë shqiptare që në vitin 2016. Që në atë kohë projekti u mbajt pezull, ndërsa u miratua 2 muaj më parë. Kompania parashikon një investim rreth 530 mijë euro, ndërsa te ardhurat për një periudhë 20 vjeçare do të jenë minimalisht 50 milionë euro.

Top Channel publikoi pak ditë më parë dokumentin, nga i cili lindi koncesioni i radhës për një tjetër shërbim publik. Oferta e pakërkuar është bërë në dhjetor të vitit 2016 për Ministrinë e Ekonomisë, e cila në atë kohë drejtohej nga Milva Ekonomi. Në ofertë kompania “Noa Control” propozon marrjen me kontroll të koncesionit të pompave të naftës dhe gazit për një afat prej 35 vitesh, por që qeveria në shpalljen zyrtare e ka ulur në 20 vjet.

Sipas propozimit, kompania parashikon të kryejë një investim total rreth 530 mijë euro për një biznes, i cili sipas burimeve nga Ministria e Financave gjeneron 2 deri në 3 milionë euro të ardhura vetëm në një vit dhe për gjithë jetëgjatësinë e tij pritet të sigurojë minimalisht 50 milionë euro të ardhura.

Koncesioni i pompave është i dyti në fushën e naftës pas atij të ngjyrosjes. Edhe në këtë rast shërbimi kalon tek privatët në kushte monopol. Aktualisht  kompanitë e naftës paguajnë rreth 14 mijë lekë në vit për çdo pompë furnizimi, para të cilat u ngarkohen qytetarëve në çmimin fundor të naftës.

Të dhënat zyrtare nga drejtoria e metrologjisë tregojnë se tarifat e arkëtuara nga kontrolli i pompave përbëjnë pjesën dërrmuese të buxhetit të këtij institucioni duke dhënë rreth 70 për qind të të ardhurave vjetore. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë