Politike

Pezullimi nga drejtimi i OFL, PD: Rasti “Shkëmbi” tregoi se vettingu është fals

Pezullimi i Artan Shkëmbit si zv/drejtor i OFL-së është prova më e qartë, sipas PD-së, se sa false është procesi i vettingut në polici.

Artan Shkëmbi është vendosur nën hetim për korrupsion dhe nxjerrje sekreti hetimor.

“Rasti i bashkëpunimit të kreut të OFL-së me krimin e organizuar tregon falsitetin e procesit të vettingut në polici dhe gjendjen e depërtimit të krimit në kupolën e Policisë së Shtetit.

Pak javë më parë, kreu i OFL-së e kaloi me sukses vettingun, duke dëshmuar se Ministria e Brendshme, shërbimi informativ dhe strukturat e tjera, në të vërtetë, nuk funksionojnë. Ato janë fasada e pushtetit që, nga një anë, bën shoë me të ashtuquajturën luftë kundër krimit, nga ana tjetër paguhet nga krimi.

Institucionet e vërteta, që nuk janë në shërbim të partisë shtet, por kanë të parin interesin publik, nuk do të kishin pritur partnerët, por do të kishin zbuluar se kreu i strukturës më të rëndësishme të policisë, është i blerë nga krimi i organizuar”, tha Enkelejd Alibeaj nga selia e PD.

Sipas tij, operacionet e OFL në vetvete janë kthyer ne qesharake.

“Zhurma e madhe politike dhe mediatike është reduktuar në disa makina të sekuestruara ose ndonjë pasuri jodomethënëse.

Edi Ramës i ka dalë situata jashtë kontrollit, sepse edhe ai e di shumë mirë se ditët e tij në krye të vendit janë të numëruara.

Bashkëqeverisjes së tij me krimin i është vënë viza.

Më 25 prill qytetarët do të tregojnë me votë vullnetin e tyre për t’u ndarë njëherë e mirë nga qeveria e krimit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë