Lajme

Pezullimi i 16 mësuesve – Shtuan fiktivisht numrin e nxënësve

Sot në të gjithë vendin kishte hare për ditën e parë të shkollës, por nuk mund të thuhet kështu për një shkollë 9-vjeçare në Çermë të Lushnjës.

Në këtë shkollë janë pezulluar 16 mësues nga detyra. Këta mësues u pezulluan me vendim gjykate, pasi akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Ata u zëvendësuan menjëherë me mësues të tjerë.

Mësohet se nga viti 2013 deri në 2015, mësuesit kanë shtuar në mënyrë fiktive numrin e nxënësve për të mbajtur vendin e punës.

Pas pezullimit të 16 mësuesve të shkollës 9-vjeçare në Lushnjë, vjen reagimi nga Ministria e Arsimit. Kjo e fundit përmes një deklarate thekson se në shkollën Çermë e Sipërme ishin bërë regjistrime fiktive.

Sipas MASR, kallëzimi është bërë gjatë viteve 2010-2013, ndërsa Prokuroria e Lushnjës ka filluar hetimet prej disa kohësh.

“Bazuar në kallëzimin e bërë gjatë viteve 2010-2013 se në shkollën 9-vjeçare Çermë e Sipërme ka pasur regjistrime fiktive, Prokuroria e Lushnjës ka regjistruar procedimin penal për “Falsifikimin e dokumenteve shkollore”.

Prokuroria e Lushnjës ka filluar hetimet prej disa kohësh për këtë rast duke kërkuar sot nga gjykata pezullimin e 16 mësuesve. Ky vendim është zbatuar menjëherë nga Zyra Arsimore Lushnje duke marrë masa të menjëhershme për zëvendësimin e këtyre mësuesve dhe mos pasur asnjë pengesë për mbarëvajtjen mësimore.

Ministria e Arsimit mbështet vijimin e hetimit nga organet ligj-zbatuese dhe siguron se për nxënësit e shkollës nuk do të ketë asnjë pengesë për të vijuar normalisht procesin mësimor. Ftojmë prindërit, mësuesit dhe nxënësit të denoncojnë çdo shkelje apo parregullsi të konstatuar në sistemin tonë arsimor”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë