Njerez

Pesë qarqe të vendit kanë më shumë vdekje se sa lindje

Nga Gazeta ‘SI’ - Pesë qarqe të Shqipërisë rezultuan me shtesë negative të popullsisë në fund të 2022-shit. Korça, Gjirokastra, Berati, Vlora dhe Fieri patën më shumë vdekje se sa lindje në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas. Gjithsesi, në nivel kombëtar shtesa natyrore e popullsisë rezulton pozitive, 1.047 lindje më shumë se sa vdekje, lidhur kjo dhe me numrin e lartë të lindjeve në kryeqytet. Shtesa ka rezultuar pothuajse në të njëjtat shifra për të gjithë 2022-shin, pa luhatje domethënëse.

Numri i lindjeve dhe vdekjeve rezultoi me rënie për të gjithë vendet në fund të 2022-shit. Në tremujorin e katërt kishte 5.963 lindje dhe 4.916 vdekje, me rënie vjetore 14% dhe 37% respektivisht.

Në tremujorin e katërt 2022, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2021. Numrin më të lartë të lindjeve e kishte Tirana me 2.121 lindje, ndërsa numrin më të ulët Gjirokastra me 93 lindje.

Në të njëjtën periudhë, të gjitha qarqet e vendit shënuan ulje të numrit të vdekjeve. Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 119 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.258 vdekje.

Numri i vogël i lindjeve lidhet me ndryshimet demografike dhe uljes së moshës së re.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë