Drejtësia

Përvetësuan me dokumente false pronën 2.7 mln euro në Himarë, burg për vëllain e ‘arrest shtëpie’ për motrën

Gazeta Si - Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar një pronë me vlerë 2.7 milionë euro në Himarë, e cila dyshohet se u përfitua nga dy vëlla e motër me anë të dokumenteve false.

Bëhet fjalë për 13.750m2 tokë në fshatin Gjilekë, që sipas akuzës u regjistrua pranë ASHK Vlorë me dokumente të falsifikuara.

Hetimet nisën në vitin 2021 dhe në përfundim të tyre, prokuroria caktoi masa sigurie për dy persona, motër e vëlla.

Për këtë të fundit, me iniciale E.M., u caktua masa e sigurisë "arrest në burg", ndërsa për të motrën, me iniciale L.M., "arrest shtëpie".

“Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1051 të vitit 2021, me kërkesë të prokurorisë u vendos masa e sigurimit “Arrest me burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për shtetasin E.M. si dhe masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për shtetasen L.M… Për regjistrimin e pronës shtetasja L.M., inicioi një proces gjyqësor administrativ pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Vlorë, ku kërkoi regjistrimin e të gjithë sipërfaqes sipas dokumentit pronësor AMTP nr.9859. Në gjykimin administrativ, nga ana e shtetasve E.M. dhe L.M., janë përdorur dokumentet e falsifikuara, Formular nr.6 dhe AMTP. Dokumentet e falsifikuara u përdorën në disa institucione nga ana e personave nën hetim, si; Këshillin e Qarkut Vlorë; Bashkinë Himarë; në procesin gjyqësor të zhvilluar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë si dhe më pas pranë ish-ZVRPP Vlorë (sot ASHK).

Nga hetimi u provua se, mbi pronën pas regjistrimit janë kryer veprime, ndarje, transaksione/shitje të shumta, duke kaluar pjesën më të madhe nga sipërfaqja totale 13.750m2, tek persona të tretë. Në kohën e kryerjes së veprimeve të mësipërme, shtetasi E.M. ka qenë në detyrën e topografit të Bashkisë Himarë”.

“Po kështu, nga hetimet rezultoi e provuar se pas regjistrimit pranë ish-ZVRPP Vlorë të sipërfaqes prej 13.700 m2, mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara. Një pjesë e kësaj prone ka mbetur në bashkëpronësi të shtetasve E.M. dhe L.M. Ndërsa nga sipërfaqja totale prej 13.750 m2, është shitur një sipërfaqe prej 7050 m2”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Motër e vëlla akuzohen për veprat penale “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim si dhe “Falsifikim i vulave, i stampave dhe formularëve”, kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë