Politike

Përveç fondeve për tërmetin Rama në BE do edhe negociatat

Të hënën kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Berlinit për t’u takuar me kancelaren Angela Merkel. Lajmi për këtë vizitë është e ditur nga zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Ulrike Demmer, e cila shtuar se në fokus të bisedës do të jetë ndihma që mund të japë Gjermania për rimëkëmbjen e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Turi i Ramës vjen pas takimit që bëri disa ditë më parë në Itali, ku u takua me kryeministrin Giuseppe Conte dhe kryediplomatin italian, Luigi Di Maio. Në këtë takim të parë Rama ka bërë të ditur shifrën paraprake për rindërtimin e cila përllogaritet në rreth 1 miliardë euro. Kryeministri Rama të martën e 28 janarit do të takohet edhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Komisioni Europian do të organizojë më 17 shkurt Konferencën e Donatorëve në Bruksel, nën udhëheqjen e kryetares së komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dhe se pikërisht këto takime të Ramës kanë fokusin e lobimit dhe të paraqitjes së situatës paraprake të zonave të dëmtuara nga tërmeti.

Tiranës zyrtare i është lënë detyrë që të paraqesë një raport të detajuar mbi nevojat që kanë për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti kryesisht në zonën e Durrësit, Lezhës, Laçit dhe Krujës.

Pallati i demtuar në Durrës nga tërmeti i 26 nëntorit. Gazeta "Si", 17 dhjetor 2019


Por këto takime të Ramës mund të shërbejnë edhe për të lobuar për çeljen e negociatave. Sipas DW, Demmer ka zbuluar gjithashtu se temë tjetër e bisedimit, do të jetë kryesia e radhës së Shqipërisë në OSBE, marrëdhëniet bilaterale, situata në rajon dhe perspektiva evropiane e BE-së. Angela Merkel dhe Gjermania janë të angazhuar për çeljen sa më të shpejtë të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas një bisede që pati javën e kaluar me kryeministrin kroat Plenkoviç, Merkel e refuzoi trajtimin veç e veç të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. "Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t'i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t'u bëhen", tha Merkel.
Në mars pritet që të mblidhet Këshilli Europian dhe se sinjalet janë që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të jepet drita jeshile për sa i përket negociatave dhe më pas në samitin e Zagrebit të përcaktohet metodologjia e zgjerimit e BE-së.

Rama dhe Michel në cermoninë zyrtare

Dy ditë më parë Tiranën e vizitoi Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, cila deklaroi se i qëndrojnë vendimit për çeljen e negociatave. “Si President i Këshillit Europian, unë shoh 3 shtylla në qasje, në strategjinë që duhet të zhvillojmë së bashku. Shtylla e parë është domosdoshmëria, dua ta shpjegoj këtu te ju, domosdoshmëria për vendet europiane, për kryetarët e qeverive që të bien dakord mbi mënyrën sesi do ta mendojnë procesin e zgjerimit, cilat do të jenë reformat për zgjerimin, çfarë tip zgjerimi duan vendet e BE, me qëllim që ky proces të jetë i besueshëm, të ketë besim dhe të ketë lidership politik. Ky është debati që do të kemi mes vendeve të Bashkimin Europian. Ky do të jetë debati që do të kemi në Këshillin Europian dhe do ta shikoni shumë shpejt me Komisionin Europian, pasi të jenë konsultuar me vendet anëtare, do të formuloj propozimin në lidhje me çështjen e modernizimit të parimeve dhe të procesit, në përgjithësi, të zgjerimit”, tha Michel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë