Ne rrjet

Përse u arrestuan drejtuesit e organizatës së veteranëve të UÇK-së?

EULEX ka tronditur ditën e djeshme opinionin publik në Kosovë duke arrestuar kryetarin dhe nënshkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me urdhër të Hagës.

Kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj u arestuan për shkak të disa konferencave ku kishin bërë publike detaje nga dosjet dhe hetimet e Prokororisë së Posacme me seli në Hagë kundër UÇK-së.

Tri konferencat e shtypit të OVL të të 7, 16 dhe 22 shtatorit janë në fokus të fletarrestit ndaj tyre.

Në fletarrestin e publikuar, Gucati akuzohet se nuk ka ndërhyrë teksa nënkryetari i organizatës së veternëve po përmendte me emra dëshmitarë të caktuar, potencialë.

 “Ka dyshime të bazuara se Gucati kishte mbajtur tri konferenca shtypi, më 7, 16 dhe 22 shtator të 2020, duke shpërndarë apo vënë në dispozicion për mediat informata konfidenciale dhe jokonfidenciale, ashtu si edhe dokumente të lidhura me Zyren e Prokurorit të Specializuar, duke mos ndërhyrë kur Nasim Haradinaj përmendi me emër dëshmitarët e caktuar duke dhënë informata rreth vendbanimit të tyre, ashtu si edhe detaje tjera personale”, shkruhet në aktakuzë. “Ky veprim përbën akt të dëmshëm për Zyren e Prokurorit të Specializuar lidhur me kryerjen e pretenduar të shkeljeve penale”.

Sipas këtij fletarresti, se arrestimi i Gucatit është i domosdoshëm, para se gjithash shkaku se ai ishte në dijeni se po shkelte ligjin.

Të martën kjo Organizatë tha se një person i panjohur ka lënë në zyrat e veteranëve dokumente, që pretendohet se përmbajnë aktakuza të përgatitura ndaj udhëheqësve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare. Arrestimi i zotit Gucati u krye një ditë pasi që Prokuroria e Posaçme arrestoi ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Mustafa, në bazë të akuzës për trajtim mizor dhe torturë ndaj 6 personave dhe një vrasje të paligjshme” në muajin prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në Zllash. Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas në  Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky ishte arrestimi i parë i kryer nga Gjykata e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Gjykata e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Europës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë