Anxhela Çelanji - Të kujdesesh për një foshnje është një obligim sa i këndshëm, aq edhe shqetësues. Nënat e reja janë gjithmonë të shqetësuara për ecurinë e shtatzënisë se tyre. Kontrollet e shumta, pritja e gjatë dhe shqetësimet e shumta shëndetësore, bëjnë që një pjesë e nënave të reja të ndihen të frikësuara. Këtyre shqetësimeve i janë shtuar së fundmi edhe rrjetet sociale. Sipas gjinekologëve shqiptarë, nënat e reja po bëhen gjithnjë e më të pasigurta përballë sfidave të shtatzënisë. Nëpërmjet postimeve të shumtave në rrjetet sociale shumë prej tyre tregojnë se të jesh shtatzënë nuk është gjithmonë një ndjenjë e bukur.
Një studim i kryer së fundmi në Angli ka treguar së fundmi se video të shumta ne internet për lindjen e grave shtatzënë kanë shkaktuar “tokofobi” (frikë nga lindja) tek shumica e nënave të reja. Sipas tyre, shumë video në rrjete sociale fillojnë me një lindje traumatike, apo ka nga ato edhe me vdekjen e nënës në fund të videos, si edhe depresionin që kalon gjatë fazave të para të lindjes. Por kur bie fjala tek nënat shqiptare, tregimet e internetit nuk janë faktorët e vetëm që shkaktojnë këtë frikë. Në vendin tonë ekziston edhe frika se shtatzënia e një gruaje mund të përfundojë me ndërhyrjen e padëshiruar mjekësore, duke i marrë shpesh edhe jetën.
Sa po ndikojnë rrjetet sociale tek dëshira për tu bërë nënë? Dhe cilat janë sipas ekspertëve shqiptarë, faktorët që po frikësojnë nënat e reja?
Paulina Basha, një vajzë e re që është në pritjen e ëmbël tregon për Gazetën “Si” që ideja e shtatëzanisë, i dukej e bukur dhe ndjesi e veçantë deri në momentin që ngeli shtatzënë. “Gjatë gjithë kohës kisha të vjella dhe nuk mund të konsumoja asgjë. Isha e frikësuar sepse nuk e dija si do më shkonte shtatzënia. Natën pothuajse nuk flija fare nga frika dhe shpesh herë vetëm qaja. Nuk e di pse ndjehesha ashtu. Kisha parë shumë video në rrjetet sociale dhe lindja më dukej diçka e frikshme,” thotë ajo.
Frika e lindjes nuk është e përfolur shpesh madje as midis grave që e vuajnë atë. Caterina Jones pedagoge në Universitetin “Hull” bën thirrje për zbulimin e hershëm dhe trajtimin e “tokofobisë”. Ajo thotë për “BBC” se ky fenomen ishte gjithë kohës në rritje dhe për këtë fajësonte tregimet e frikshme që trajtohen në rrjetet sociale. “Kur fola me gazetarët nuk do të lija pa thënë pjesën më të rëndësishme për lindjet dhe nënat e reja. Niveli i tokofobisë është gjatë gjithë kohës në rritje, por kur thash se rrjetet sociale ishin shkaku kryesor, isha gabim,” thotë Jones.
Gjinekologia Alma Peri tregon se edhe në Shqipëri ka një tendencë të rritjes se lindjes me operim, pasi nënat e reja sipas saj, kanë frikë se nuk do të durojnë dhimbjet e lindjes. “Përgjithësisht ato kanë parë dhe kanë dëgjuar për dhimbjet e lindjes dhe nuk duan të kryejnë një lindje natyrale. Ashtu si mjekët e tjerë dhe unë i sugjeroj vajzave të reja mënyra te ndryshme se si do të kryejnë lindjen, por është në dorë të saj se çfarë lindje do të preferojë. Të gjithë fëmijët përgjithësisht kanë një peshë normale, kështu që unë mendojë se lindjet natyrale janë të duhurat për t’u krye, përjashto faktin kur kanë komplikacione,” thotë zonja Peri.
Duke qenë se gratë shtatëzëna vuajnë këtë frikë dhe duan të marrin më shumë informacion por nuk munden, ato drejtohen nga rrjetet sociale dhe gjejnë “skenarë” lindjesh nga më të frikshmit. Gjatë intervistës me zonjën Basha ajo na tregoi se pas bisedës së parë me doktoreshën e saj, gjithçka i dukej më lehtë dhe kishte më shumë dëshirë për t’i ndjekur hapat e shtatzënisë. Tokofobia mund të prekë gratë në shtatzëninë e tyre të parë. Kjo frikë mund të shkaktohet nga shumë gjëra, duke përfshirë frikën e dhimbjes, lindjen e vështirë dhe depresionin
Shumë gra nuk shkojnë në qendrat e lindjes sepse mendojnë se spitali është vendi i duhur për to. Malcolm Dickson, këshilltar dhe gjinekolog britanik thotë se ka një grup të vogël grash që janë të tmerruar nga lindja, dhe nuk janë vetëm tregimet “horror” në rrjetet sociale që duhet të fajësohen për frikën e tyre, por edhe kujdesi mjekësor i duhur që mungon në shumë vende. “Para shumë kohësh kam qenë duke punuar në Rochadale e cila ishte një vend i vogël dhe të gjitha mamitë që punonin në qendrën e lindjeve jetonin aty afër. Të gjitha gratë që vinin ishin jashtëzakonisht të lumtura për lindjet e tyre dhe nuk kishin frikë, ndërkohë që shumica e qendrave të lindjes tashmë janë në institucione të mëdha dhe njerëzit frikësohen të shkojnë atje, pasi ideja se nuk do të njohin asnjë dhe do të i’u shfaqen komplikacione të ndryshme është e tmerrshme për to. Një arsye tjetër e frikës së lindjeve është dhe mungesa e mbështetjes morale.
Studimi i universitetit britanik ka treguar se rrjetet sociale mund të ndihmojnë të ushqejnë ose të shuajnë frikën e lindjes. Videot e lindjeve në rrjete sociale luajnë një rol negativ për të gjitha gratë shtatëzëna. Artikulli i Caterina Jones shkaktoi një “stuhi” mediatike dhe vuri në qendër të vëmendjes inkurajimin e grave për të komunikuar me Jonesin dhe kolegen e saj Julie Jomen e cila drejton programin e kërkimit shkencor të shëndetit mendor.
“Shumë nga këto gra thanë se nuk kishin mbetur shtatëzënë për shkak të frikës së tyre dhe nëse do të dinin që kishte njerëz që do t’i ndihmonin gjatë gjithë shtatëznisë do të kishte shumë ndryshim dhe do të donin të bënin fëmijë”, thotë Joemen.
Disa hulumtues nga Irlanda shqyrtuan 33 studime gjatë 50 viteve të fundit dhe arritën në përfundimin se shumë gra pësojnë tokofobi të rënda. Fillojnë të frikësohen në javën e 37 të shtatëzanisë sepse lindja tashmë është shumë afër dhe nuk mund të ndërhysh për abort pasi është shumë vonë,” thotë Joemen Ndërsa, themeluesi i Shoqërisë Pozitive, Siobhan Miller, thotë se mbështet gratë që duan të lindin në mënyrë natyrale.
Studiuesit po shqyrtojnë mënyrën se si kujdesi shëndetësor mund të çojë në rezultate të mira mbas lindjes, duke përfshirë vazhdimësinë e kujdesit mjekësor, ndërhyrjen psikologjike dhe klasifikimin e spitaleve të duhura. Sipas Jomeen trauma dhe frika do të mbetën një problem i madh nëse nuk trajtohen në kohë, pasi mund të ndikojnë te fëmija gjatë gjithë jetës së tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.