Sociale

Përse nuk po lindim dot fëmijë?

Lorina Mixha - Nga viti në vit po ulet numri i lindjes së fëmijëve. Ardhja në jetë e bebeve po bëhet shqetësim si për çiftet e bashkëjetuesve, ashtu edhe për familjet shqiptare në tërësi. Stresin dhe vuajtjen më të madhe e kanë gratë, të cilat njihen nga shoqëria për aftësinë dhe detyrën kryesore, riprodhimin.

Por, edhe “fajin” më të madh se përse nuk po kemi shumë lindje e kanë po ato, gratë. Problemet e fertilitetit, aftësitë për riprodhim në mënyrë natyrale janë në rritje dhe përveç 100 arsyeve të brendshme e të jashtme, strumbullari se përse nuk çojmë shumë bebe në shtëpi janë femrat, gratë karrieriste, të cilat po shtyjnë moshën e lindjes së fëmijës së parë.

Statistikat e INSTAT raportojnë ulje të ndjeshme të numrit të lindjeve. Mjekët obstetër thonë se problemet e infertilitetit kanë rreth një dekadë që po rriten aq sa dëshira e grave për t’u plotësuar në karrierë.

“Në shoqërinë tonë ka të paktën një dekadë që i jepet prioritet zhvillimit të karrierës  profesionale nga gratë, të cilat detyrohen të vonojnë lindjen e fëmijëve deri në të 30-at ose më vonë. Mosha është faktor kyç, pasi siç e dimë, gratë lindin me një numër  të caktuar fiks vezësh, përreth 1 milion. Numri dhe cilësia e tyre pakësohet me kalimin e viteve dhe bashkë me to ulet edhe fertiliteti”, thotë Besiona Kodra, mjeke pranë Qendrës Universitare Koço Gliozheni.

Sipas saj, infertiliteti është problem si për burrat ashtu edhe për gratë, ndërkohë që psikologët vërejnë se përveç individualizmit që ka prekur femrën, stresi i përditshëm dhe kërkesat për të mbajtur një fëmijë janë shkaqet kryesore pse s’po lindim më. Bashkë me uljen e lindjeve po shkaktojmë ngadalë çdo vit dhe më shumë, edhe plakje e moshim të popullsisë sonë, që në klasifikimet ndërkombëtare ende ruan përkufizimin “e re”.

Me sytë e mjekut

“Infertiliteti përkufizohet si paaftësia e një çifti për të arritur një shtatzëni pas 1 viti përpjekje, mosha nën 35 vjeç dhe 6 muaj, mosha mbi 35 vjeç. Kjo është qasja klasike mjekësore gjatë këshillimit për infertilitet, duke përjashtuar raste me problematika të veçanta. Parashikohet se 65 për qind e çifteve arrijnë të konceptojnë brenda 6 muajve dhe 80 për qind e tyre brenda 1 viti”, thotë. Sipas saj, zbulimi i shkaqeve të infertilitetit dhe trajtimi i tyre parashikon një punë komplekse, ndonjëherë dhe multidisiplinore, e cila kërkon durim dhe bashkëpunim të çiftit me mjekun. Kjo gjë shpesh bëhet e vështirë dhe një barrë e madhe emocionale për çiftin dhe sidomos gruan, e cila ka tendencë ta shohë si ‘paaftësi’ të sajën. Infertiliteti prek meshkujt dhe femrat njësoj.

“Aktualisht nuk ka të dhëna të sakta të publikuara në rang kombëtar mbi përqindjet e infertilitetit në vendin tonë, megjithatë është evidente në praktikën e përditshme klinike që rastet janë në rritje dhe hamendësohet të jenë 10 deri në 15 për qind të çifteve. Shkalla totale e fertilitetit për Shqipërinë publikuar në CIA World Factbook për 2017 është 1.51 fëmijë të lindur/për grua. Ky indikator duhet të jetë të paktën 2 për një popullatë që qëndron stabël ose rritet”, tregon mjekja Kodra.

Ajo thekson se mënyra e jetesës, ushqimi si dhe ndotja mjedisore janë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në këtë problematikë.

Sipas mjekes, aspekt tjetër me jo pak ndikim është lirshmëria e marrëdhënieve seksuale në kohët e sotme dhe ndryshimet e partnerëve që predispozojnë për sëmundje seksualisht të transmetueshme, të cilat mund të bëhen shkak për mbylljen e tubave. Jeta sedentare dhe kequshqyerja, qoftë e shfaqur si mbipeshë apo nënpeshë, ndikojnë në çrregullimet hormonale.

Te meshkujt kemi kryesisht abuzimin me duhanin, alkoolin, drogat apo ushqimin.

Mjekja thotë se shkenca ka bërë përparime të mëdha në këtë fushë, nëpërmjet trajtimeve hormonale, kirurgjikale si dhe teknikave të riprodhimit të asistuar, duke bërë të mundur që rreth 40 për qind e çifteve të trajtuara të arrijnë sukses dhe të marrin me vete një bebe në shtëpi.

Faktorët psikologjikë

Gjithmonë nëpër gjimnaze flitet për marrëdhëniet seksuale dhe SST (sëmundje seksualisht të transmetueshme), të cilat përbëjnë një rrezik për brezin e ri. Por, më e rëndësishmja sipas psikologëve dhe sociologëve është që t’u themi se aktiviteti seksual i filluar herët dhe i vazhdueshëm është një nga faktorët për të sjellë infertilitetin te femrat. Është e rëndësishme të kuptojmë se me rënien e numrit të lindjes, popullsia po shkon drejt asaj që ne i themi moshimi i shoqërisë.

Sot gjithmonë e më shumë po bëhemi koshient se si ka ndryshuar lidhja në çifte, të cilët dëshirojnë të kenë fëmijë. Dikur gjyshërit dhe prindërit tanë martoheshin shumë herët në moshë dhe asaj që i kushtohej më shumë rëndësi ishte aspekti i virgjërisë te femrat.

“Nga pikëpamja e kulturës dhe traditave tona ky ishte një rregull i pathyeshëm që një çift të kishte një jetë të gjatë e të lumtur bashkëshortore. Që do të thotë më pak marrëdhënie seksuale, gjë e cila i jepte mundësi çiftit të kishte një shtatzëni brenda vitit të parë të martesës. Gjithashtu, një regjim i mirë ushqimor, më pak përdorim i alkoolit dhe drogërave te meshkujt, i lejonte ata që ky riprodhim të ishte më efektiv”, analizon psikologia Arjana Muça.

Sipas saj, sot infertiliteti është bërë një shqetësim i madh për të gjithë çiftet e reja. Gjithmonë e më shumë po funksionon metoda e fekondimit invitro dhe kjo vihet re në të gjitha klinikat, të cilat po i japin përparësi këtij shërbimi.

Shoqëria jonë me hapjen e kufijve përqafoi fort elementë të kulturave të ndryshme dhe një prej këtyre është dhe shtyrja e moshës së martesës, individualizmi dhe mirëqenia e individit në realizimin e tij profesional dhe emocional. “Gjithmonë e më shumë po shohim të rinj, të cilët duan të plotësohen në karrierën, që zgjedhin duke menduar se koha që shfrytëzojnë për realizimin e saj mbetet në vendnumëro për aspekte të tjera që na ofron cikli i jetës. Pra kemi rritje të moshës për të marrë një vendim për të qëndruar në një marrëdhënie bashkëshortore”, shpjegon psikologia.

Sipas analizës psikologjike, si për meshkujt dhe për femrat, ndryshimet që ndodhin në organizëm ndikojnë edhe në dëshirën e tyre për të sjellë në jetë pasardhësit e tyre. Por, ne kemi dhe faktorë të jashtëm, të cilët përsëri kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek individi, siç janë stresi i jetës së përditshme, përdorimi i duhanit, alkoolit dhe përdorimi i çfarëdolloj droge. “Çiftet sot mendojnë se të sjellësh në jetë një fëmijë, është mjaft e lehtë, por koha dhe problematika që po haset tregon të kundërtën. Jeta pa aktivitet fizik, pa ushqim të shëndetshëm po sjell edhe ndryshime në shëndetin tonë, si fizik dhe mendor. Në optikën time, institucionet përkatëse duhet të ndërhyjnë me fushata sensibilizuese për të ndërgjegjësuar të rinjtë për efektet negative që mund të sjellë infertiliteti dhe se si mund të parandalohet.

Të dhënat e INSTAT

Sipas Institutit të Statistikave, duke u bazuar në të dhënat statistikore mbi lindjet, vëmë re se numri i tyre ka rënë. Arsyet mund të jenë të shumta: Emigracioni i lartë i popullsisë në moshë fertile, rritja e moshës mesatare të martesës si te femrat ashtu dhe te meshkujt; përdorimi i metodave të planifikimit familjar.

Të dhënat e fundit që jep INSTAT tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2018 rezulton 5592, duke shënuar një rënie prej 25,3 për qind, krahasuar me tremujorin e dytë 2017.

Gjatë tremujorit të dytë 2018, numri i lindjeve tejkaloi me 769 numrin e vdekjeve.

Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e dytë 2018, pasqyron një rënie me 69,9 për qind, në krahasim me tremujorin e dytë 2017.

Studimi demografik

I vetmi studim demografik i publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë daton rreth shtatë vite më parë.

Sipas studimit demografik shëndetësor në Shqipëri (2008-2009), lindshmëria më e ulët në qytete po sjell përqindje më të ulët të fëmijëve në zonat urbane, krahasuar me ato rurale (20 dhe 25 për qind). Përveç lindshmërisë së ulët, faktorë të tjerë që po ndikojnë në përqindjen e ulët të fëmijëve 0-14 vjeç, janë emigracioni i njerëzve në moshë riprodhuese, arsyet ekonomike që shoqërojnë koston e lindjes së më shumë fëmijëve, rritja e moshës së martesës, përdorimi i metodave të planifikimit familjar.

Sipas studimit, shumica e çifteve të reja të pyetur e të anketuar janë të mendimit dhe shprehin dëshirën se do të ishte më mirë të kishin nga një deri në dy fëmijë.

“Në vitet ’90, rritja e popullsisë konsiderohej si faktor për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, ndaj edhe politikat shtetërore të lindshmërisë kanë qenë nataiste. Në atë kohë, një grua në moshë riprodhuese sillte në jetë mesatarisht 5.5 fëmijë. Pas viteve ’90,  koeficientët e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm dhe kjo shpjegohet kryesisht me emigracionin e lartë të popullsisë në moshë riprodhuese, rritjen e nivelit të edukimit, rritjen e moshës mesatare të hyrjes në martesë të vajzave, kontrollin e lindjeve”, thuhet në botimin e fundit të vitit 2012, “Probleme sociale bashkëkohore”, me autorë sociologët Nora Malaj dhe Lekë Sokolin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë