Analize

Përplasjet Turqi-Greqi, SHBA i ofron mbështetje ushtarake Athinës

Edhe pse deri më tani kishte mbajtur një qëndrim neutral ndaj përplasjeve mes Greqisë dhe Turqisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë vendosur të ndërhyjnë duke u rreshtuar në anën e Athinës zyrtare.

Ndërkohë që tensionet në Mesdhe kanë ardhur duke u rritur, SHBA mësohet se i ka ofruar Greqisë mbështetje ushtarake, duke i shitur jo vetëm armatime, por duke premtuar ndërtimin e bazave të reja amerikane në vendin fqinj.

Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo po zhvillon sot një vizitë në Selanik, dhe në ishullin e Kretës, dy vende të cilat nuk i janë lënë rastësisë as nga Uashingtoni as nga Athina zyrtare. Vizita vjen ndërkohë që Turqia njoftoi mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me zjarr të vërtetë në Mesdheun Lindor.

Vendet që Pompeo zgjodhi të vizitojë janë simbolike: Selaniku konfirmon interesin e SHBA në Greqinë veriore në kontekstin e konkurrencës së tyre me Rusinë për rajonin e Ballkanit. Oligarkët rusë kanë qenë me ndikim në veriun e Greqisë dhe nuk u përpoqën të bllokonin marrëveshjen e ndryshimit të emrit me Maqedoninë e Veriut dy vjet më parë.

Në Kretë, SHBA-ja ka një bazë të fortë detare të cilën është e gatshme ta zgjerojë. Kjo gjithashtu përkon me bisedimet në Uashington për zhvendosjen e bazës amerikane nga Incirliku i Turqisë. Ankaraja ka paralajmëruar se mund të dëbojë SHBA nga baza ajrore.

Ndërkohë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u dërgoi një letër javën e kaluar 25 vendeve anëtare të BE përveç Greqisë dhe Qipros, duke akuzuar Athinën dhe Nikosinë për shkaktimin e përshkallëzimit të tensioneve në Mesdheun Lindor.

Kjo është vizita e dytë e Pompeos në Greqi në më pak se një vit dhe sipas mediave greke pritet të përqëndrohet në thellimin e bashkëpunimit ushtarak dypalësh. Nga ana e tij, vendi fqinj mësohet se ka kërkuar prej muajsh blerjen e armatimeve të reja nga SHBA-ja, për të forcuar kapacitetet e tija ushtarake.

Niko Dendias dhe Mike Pompeo, Gazeta Si, 2020

SHBA po fuqizon lidhjet ushtarake me Greqinë pas Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Ndërsjellë të Mbrojtjes të nënshkruar midis dy vendeve vitin e kaluar. Greqia do të blejë nga SHBA-ja katër helikopterëve MH-60R dhe katër anije luftarake. Po ashtu Athina, pritet të kërkojë mbështetjen e SHBA-së për krijimin e një baze të dytë detare në Souda. Nga ana tjetër, firma amerikane Lockheed Martin mësohet se do të përmirësojë 84 avionë luftarakë grekë F-16.

Ushtria amerikane ka nisur zyrtarisht bisedimet për të zgjeruar operacionet e saj në Greqi, duke përfshirë ndër të tjera edhe përdorimin e të tjera bazave ajrore dhe detare në vendin fqinj. Përfaqësuesit amerikanë deklaruan në Athinë se Uashingtoni po konsideron vendosjen e një numri të madh trupash në Greqi, si dhe ngritjen e disa bazave ushtarake.

Për Greqinë, vendosja e ushtrisë amerikane do të ishte një “biletë sigurie” përballë kërcënimit nga Libia dhe Turqia. “Greqia është e alarmuar nga veprimet e pakontrolluara të Ankarasë”, shkruan gazeta greke “Ekathimerini”. Zyrtarët në Athinë mësohet se i kanë vënë disa herë në dukje Pompeos se Greqia është i vetmi vend që përmbush objektivin e  shpenzimeve ushtarake të NATO-s.

SHBA ka shprehur gjithnjë e më shumë mbështetje për Greqinë dhe Qiprion, pavarësisht se presidenti Trump e cilëson Turqinë si një aleat në kyc në Lindjen e Mesme.

Pompeo do të vizitojë bazën detare të SHBA-së në Gjirin e Souda në Kretë të martën duke anashkaluar thirrjet e fundit të Turqisë që Uashingtoni të kthehet në pozicionin e tij të neutralitetit ndaj tensioneve në Mesdheun Lindor. Përveç vizitës së Souda, e cila ka nxitur tensione në Turqi, i dërguari i SHBA do të pritet gjithashtu nga kryeministri Qiriako Mitsotakis në shtëpinë e tij në ishullin e Kretës.

SHBA-ja duket se rreshtua në anën e Greqisë edhe në korrik, kur Athina dhe Uashingtoni kryen stërvitje ushtarake në ujërat e Mesdheut.

Baza ushtarake e Kretes, Gazeta Si, 2020

Më parë këtë muaj, Pompeo diskutoi tensionet e Mesdheut Lindor gjatë një vizite në anën jugore të Qipros, pasi SHBA-ja hoqi embargon e armëve, një veprim për të cilin Turqia tha se po prishte "barazinë dhe ekuilibrin" midis komuniteteve qipriote turke dhe greke në ishull.

"Ne mendojmë se marrja e hapave që dëmtojnë pozicionin neutral të SHBA-së nuk do të përfitojë nga paqja në rajon," tha zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).

Vizita e Pompeo në Greqi shkaktoi mjaft polemika në shtypin turk gjatë fundjavës, të cilat raportojnë se zyrtari amerikan vizitoi gjithashtu Qipron, duke sinjalizuar se Amerika po vendos të mbajë anën e Athinës.

Në një dokument të publikuar me rastin e vizitës së Pompeo, Departamenti i Shtetit tha se Greqia "është një partner kritik me të cilin Shtetet e Bashkuara ndajnë qëllime kryesore strategjike".

"Ne jemi të përkushtuar për të mbështetur sigurinë dhe prosperitetin e Greqisë", theksonte deklarata duke iu referuar tensioneve me Turqinë.

Disa orë para udhëtimit të tij, Pompeo pati një diskutim mbi de-përshkallëzimin e situatës në Mesdheun Lindor me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Duke postuar në Twitter, Pompeo tha se ishte "i kënaqur" që kishte diskutuar këtë çështje me Stoltenberg duke thënë se i kishte përsëritur rëndësinë e unitetit të Aleancës së NATO-s".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë