Një përplasje e përgjakshme mes bandave rivale nga Mali i Zi ka alarmuar mbrëmjen e djeshme Athinën. Policia greke njoftoi se dy persona nga Mali i Zi dhe Sllovenia, të dy me precedentë penalë u qëlluan para familjeve të tyre ndërsa ishin duke ngrënë në një tavernë në qytetin bregdetar të Vari në jug të kryeqytetit Athinës. Ata mësohet se u sulmuan nga një bandë rivale.
Viktimat kishin urdhër arrestindërkombëtar dhe cilësoheshin si kriminelë të rrezikshëm. Njëri prej tyre përballet me akuza për trafik armësh dhe eksploziv dhe tjetri i për pjesëmarrje në një bandë kriminale.
.Gazeta e përditshme serbe “Vecernje Novosti” i identifikoi viktimat si Stevan Stamatovic dhe Igor Dedovic, duke raportuar se Greqia po bëhet strehë për kriminelët nga vendet e tjera të Ballkanit, si Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi.
"Ky rajon është një fushëbetejë për kriminelët rusë, serbë dhe arabë. Gjatë pesë ose gjashtë viteve të fundit, ka pasur një numër në rritje të konfrontimeve”, shkruan ajo.
Viktimat dyshohet se ishin anëtarë të të ashtuquajturit Klani Skaljari. Stamatovic dhe Dedovic, që të dy 43 vjeç, u ekzekutuan me më shumë se 20 plumba në sy të fëmijëve. Përplasjet mes bandave rivale nga Mali i Zi kanë shkaktuar edhe më herët viktima përtej kufijve të vendit. Në dhjetor 2018, një anëtar i klanit Kavac, Vladimir Roganovic, u vra në moshën 32 vjeçare në një restorant në Vienë. Një malazez tjetër, Stefan Vilotijevic, 23, mbeti i plagosur në këtë ngjarje. “Atentatorët dukej se ishin profesionistë. Ata i goditën viktimat duke zbrazur 20 fishekë kundër vetëm dy personave. Ata shkuan direkt te tavolina ku gjendeshin Stamatovic dhe Dedovic dhe hapën zjarr pa shkaktuar viktima të tjera,” raportoi “Eonoe.gr” duke cituar një burim policor.
Lufta mes bandave në Malin e Zi ka alarmuar edhe autoritetet në Serbinë fqinje. Presidenti i Aleksandar Vuçiç tha se ishte e rëndësishme që ata të ndalonin hyrjen në Serbi të çdokujt që kishte lidhje me rrethet kriminale në Malin e Zi.
“Festa e përgjakshme që ndodhi në Athinë mbrëmjen e kaluar mund të kishte ndodhur në Beograd, nëse ne nuk do të kishim marrë masa,” deklaroi Vuçiç për agjencinë Tanjug.
Krimi i organizuar “kap” shtetin malazez
Për vite me radhë, Mali i Zi është gjunjëzuar nga dhuna mes shtetit dhe bandave, të lidhura me trafikimin e drogave fitimprurëse dhe kontrabandën e cigareve. Zakonisht vrasjet ndodhin larg pikave të njohura turistike, por jo gjithmonë krimi arrin të fshihet. Në vitin 2015, një shef policia i dyshuar për lidhje me krimin e organizuar u qëllua për vdekje nga një snajper në shëtitoren kryesore të Budvas.
Në mars të vitit të kaluar dy policë të tjerë u vranë me armë në një kafene në Podgoricë ndërkohë që vendi fqinj nuk kalon asnjë javë pa lajme për atentate me bombë apo të shtëna.
Gjukanoviç është akuzuar vazhdimisht se partia e tij është e lidhur me bandat kriminale.
“Ka pasur 25 sulme fizike ndaj gazetarëve apo lokaleve gjatë vitit të fundit. Dhe ky është vendi që supozohet të jetë më i reformuari në Ballkanit Perëndimor dhe ndodhet pranë pranimit në BE “, tha redaktori ekzekutiv i gazetës “Vijesti”, Zhelko Ivanoviç.
Sipas tij, në letra qeveria malazeze ka një program të detajuar për të luftuar krimin e organizuar, por aktivistët vendas thonë se realiteti është më i komplikuar.
“Ky shtet kurrë nuk ka pasur një strategji të mirëfilltë për të luftuar krimin e organizuar,” tha Daliborka Uljareviq, drejtor ekzekutiv i një OJQ me bazë me Podgoricë, duke shtuar se shumë zyrtarë të qeverisë kishin bashkëpunëtorë në rrjetet kriminale. “Kjo nuk është një tango që mund të kërcehet dyshe. Shteti mendon se mund të luajë me krimin e organizuar, por nuk e kupton se është i kontrolluar prej tij”, shton ai.
Gazetarët në Mal të Zi janë po ashtu të rrezikuar. Muajin e kaluar, një bombë shpërtheu jashtë shtëpisë së Sead Sadikoviç, një gazetar investigativ që jeton në qytetin e Bijelo Polje. Sadikoviç ishte duke përgatitur për një interviste televizive kur u dëgjua shpërthimi.
“Kisha marrë shumë kërcënime dhe provokime të ndryshme përpara saj,” tha Sadikoviç për “The Guardian”. “I kam raportuar të gjitha në prokurori, pa asnjë rezultat konkret deri më tani. Nuk e di se çfarë do të bëjnë autoritetet, por unë nuk jam shumë optimist … në Malin e Zi sa herë që dikush flet, gjen një bombë në derën e shtëpisë”.
Omer Sarkić, një 55-vjeçar i cili organizoi një protestë në Podgoricë muajin e kaluar pas sulmit me bombë ndaj Sadikoviç, tha se ishte i zhgënjyer që vetëm rreth 100 persona dolën për të protestuar.
“Këto vrasje prekin të gjithë në Malin e Zi. Është si një luftë. Fillimisht gjithçka ndodhte larg qyteteve të mëdha, por tani nuk po kursehen as qytetarët e zakonshëm. Jeta e tyre është në rrezik, por askush nuk po bën asgjë për këtë”, thotë ai. “Mali i Zi është një vend i vogël saqë të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe e dimë se kush janë kriminelët.Gjatë vitit të kaluar shumë qyteza në Malin e Zi janë përfshirë nga vrasjet mafioze, përfshirë vrasjet me bomba, të cilat në përgjithësi kanë mbetur pa autorë.
Kotorri është një qytezë mesjetare me vetëm 20 mijë banorë dhe është në listën e trashëgimisë botërore të Unieskos. Qyteti tërhoqi vëmendjen një dekadë më parë kur u mësua se një baron droge, Darko Saric, pati investuar shuma të mëdha në turizëm.
Gjykata speciale e Servisë e dënoi Saricin me 20 vjet burg në korrik 2015 për trafik kokaine nga Amerika Latine, bashkë me 30 të tjerë. Ata konsiderohen përgjegjës për trafikimin e së paku pesë tonëve kokainë mes viteve 2008 dhe 2009. Por 14 nga të dënuarit janë aktualisht në arrati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.