Futboll

Përplasje për tifozët para derbit, Tirana kërkon tribunën “Fatmir Frashëri”

Derbi i kryeqytetit do të luhet në një atmosferë ndryshe këtë herë. Partizani-Tirana zhvillohet të premten në “Air Albania Stadium”, është ndeshja e parë e kampionatit që luhet në stadiumin e ri dhe pritet me shumë interes, sidomos nga ana e tifozëve, por përplasjet mes dy klubeve për këta të fundit kanë nisur që sot.

Partizani, klubi organizator i ndeshjes, ka lënë tribunën “Vasillaq Zëri” për tifozët e Tiranës, apo tribunën nga krahu jugor i stadiumit. Tifozët bardheblu nuk pajtohen me këtë vendim, po ashtu edhe klubi i Tiranës, që kërkon të ketë në dispozicion tribunën “Fatmir Frashëri”. Jo se është tribuna që mban emrin e një prej legjendave të Tiranës, por sipas klubit bardheblu, për arsye sigurie.

Tifozë të Tiranës dhe Partizanit, duke u përleshur me njëri-tjetrin në “Selman Stërmasi”. Gazeta Si, 11 dhjetor 2019

Të dyja tifozëritë po mundohen ta karikojnë sa më shumë atmosferën para derbit dhe duket e vështirë që Partizani të hapë rrugë në këtë rast. Mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë policia, që për të pasur sa më shumë siguri, zakonisht kërkon që tifozëritë të jenë të vendosura larg njëra-tjetrës. Klubi i Partizanit ka bërë të ditura edhe çmimet e biletave për çdo sektor të stadiumit, por pa thënë nëse të ardhurat do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti, siç u tha fillimisht. Kujtojmë që gjatë derbit të fundit ka pasur shumë probleme mes dy tifozërive, madje ka pasur edhe edhe një përleshjes mes tyre para ndeshjes. Pa derbit, disa tifozë u proceduan penalisht.

Partizani vjen në këtë ndeshje si kryesues, por pas humbjes në Ballsh kërkon të reagojë. Duke qenë se ndeshja luhet në stadiumin e ri, tifozët e tij pritet të jenë më të shumtë se në derbet e mëparshëm. Tirana vjen nga një situatë shumë më e vështirë dhe në këtë derbi do të drejtohet nga përgatitësi i portierëve, Emanuel Egbo, pasi pas largimit të Julian Ahmatajt nuk e ka zgjedhur ende trajnerin e ri. Tifozët e saj kanë shumë vite që nuk shijojnë një fitore në derbi dhe shpresojnë që ndoshta në stadiumin e ri mund të kenë më shumë fat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë