Politike

Përplasje në Çeki për Kosovën, a do të tërhiqet njohja?

Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke Tomas Petricek kundërshtoi hapur presidentin e vendit të tij Milos Zeman për deklaratat se mund të revokohet njohja e Kosovës nga ky shtet.

Në një prononcim për Agjensinë Shtetërore të Lajmeve Çeke, Petricek shtoi se nuk është në interesin e këtij vendi tërheqja e njohjes së Kosovës. Shefi i diplomacisë së Republikës Çeke pranoi se do të duhej më parë të bisedonte me presidentin Milos Zeman.

‘’Megjithëse nuk shoh ndonjë arsye për të patur një debat të tillë në këtë moment, sepse situata në Ballkan nuk ka ndryshuar në mënyrë dramatike, do të dëshiroja të flisja më parë me presidentin për të dhënë këtë opinion. Ne e njohëm ‘de jure’ Kosovën në 2008 dhe është në interesin e sigurisë dhe gadishmërisë së politikës tonë të jashthme që të mos e ndryshojmë këtë vendim’’, deklaroi për agjensinë ‘’CTK’’ Ministri i Jashtëm çek Petricek.
Zeman, ka mbërriti dje në Serbi ku u prit nga presidenti Aleksander Vuçiç të cilit i tha nën zë se nuk i pëlqente Kosova.

Ministri i Jashtëm çek Tomas Petricek dhe Presidenti i Rep.Çeke Milos Zeman

"Unë nuk mund të imponojë pozicionin tim, por ajo që mund të bëjë është që të japë një muaj kohë për konsultime të autoriteteve, rreth asaj nëse është e mundur ta tërhqim njohjen”, është shprehur Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman gjatë vizitës së tij në Beograd.

Presidenti Zeman, roli i të cilit në Çeki është vetëm ceremonial, e ka pranuar se për një gjë të tillë duhet të vendosin institucionet tjera të shtetit, duke shtuar se nuk mund të imponojë qëndrimin e tij.

Zeman ka thënë se shpreson që të marr përkrahje nga Ministri i Mbrojtjes, Lubomir Mentar, i cili kishte deklaruar se ishte një gabim diplomatik, vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ai me siguri do të jetë në anën time, kush do të jetë në anën tjetër, do ta shohim”, ka thënë Zeman.

Ndër të tjera Zeman ka thënë që një vend i cili drejtohet nga “njerëz të luftës”, nuk duhet të jetë pjesë e komunitetit të vendeve demokratike. Republika Çeke është ndër 22 vendet anëtare të Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën.

Pas deklaratave të vazhdueshme të presidentit të Çekisë Milos Zeman se do të rishikojë njohjen e Kosovës nga vendi i tij, Prishtina refuzoi kategorikisht të marrë pjesë në Samitin e Kryeministrave të Vishegradit (Poloni, Hungari, Sllovaki dhe Rep.Çeke) bashkë me homologët e Ballkanit Perëndimor.

Duket se marrëdhënia e ngrohtë midis presidentit Zeman dhe homologut serb Aleksander Vuçiç mund të ndikojë në klimën e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Republikës Çeke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë