Politike

Përplasja për Shkodrën, jep dorëheqjen bashkëpunëtori i Voltana Ademit

Përplasjet në Bashkinë e Shkodrës po shoqërohen me largime të njerëzve dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të kryebashkiakes Voltana Ademi. Sekretari i këshillit të Bashkisë së Shkodrës mësohet se me anë të një letre ka paraqitur dorëheqjen për arsye personale.
“Unë Suel Hadri, me funksion sekretar i këshillit bashkiak Shkodër, ju njoftoj se, për arsye të mia personale, jap dorëheqjen nga funksioni i sekretarit të këshillit bashkiak Shkodër”, thuhet në letër.
Hadri nuk pranoi të drejtonte mbledhjen për konstituimin e këshillit të ri bashkiak te përbërë nga socialistët. Kjo dorëheqje vjen vetëm pak ditë nga konstituimi i këshillit të ri bashkiak Shkodër. Qyteti më i madh verior ka mbetur pa kryebashkiak, pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, i cili u largua për shkak të problemeve me të kaluarën e tij, duke u bërë subjekt i ligjit të “Dekriminalizimit”.

Letra e dorëheqjes së Hadrit


Pas konstituimit të këshillit bashkiak, tashmë prefekti Çesk Millja i është drejtuar me shkresë institucioneve si Presidentit Ilir Meta dhe KQZ-së ku i vë në dijeni për vakancën e krijuar. Kjo situatë ka krijuar një ngërç të ri, pasi Presidenti nuk pranon që të nxjerrë dekret, pasi sipas tij, zgjedhjet lokale duhet të mbahen më 13 tetor, duke mos njohur votimet e 30 qershorit.
Sakaq, kryebashkiakja Voltana Ademi, së cilës i ka mbaruar mandati, ka deklaruar se do të vijojë të qëndrojë në krye të bashkisë pasi, sipas saj, “ndodhen në një fazë tranzitore”. Vetë Ademi i ka kaluar të drejtën e firmës nënkryetares së Bashkisë, Emilja Koliqi.
Më 20 gusht ka mbaruar mandati i drejtuesve aktualë të bashkisë. Për këtë pati edhe një përplasje, pasi Dega e Thesarit bllokoi dhe fondet këtij institucioni, duke i njoftuar se i ka mbaruar mandati. Për këtë pati një reagim nga Ademi, e cila me anë të një letre drejtuar ministres së Financave, Anila Denaj, e cilësoi të pabazuar në ligj dhe shkelje të autonomisë vendore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë