Drejtësia

Përplasja te MEK, Prokuroria merr në pyetje 10 muxhahedinë

Gazeta Si - Dhjetë anëtarë iranianë të organizatës MEK në Manzë, janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Durrësit si dëshmitarë në incidentet e të martës në kampin Ashraf 3.

Sipas burimeve paraprake, muxhahedinët janë pyetur në lidhje me pretendimet se policia ka ushtruar dhunë ndaj tyre, për sprajin e hedhur gjatë rezitencës, si dhe për humbjen e jetës së një anëtari në kamp.

Gjatë dëshmisë së dhënë, ata kanë mbajtur po të njëjtin qëndrim. Më herët, për këtë pretendim, autoritetet shqiptare deklaruan se nuk është ushtruar dhunë ndaj muxhahedinëve dhe se viktima ndërroi jetë pas një arresti kardiak.

Policia dhe Prokuroria nuk kanë mundur të sekuestrojnë ende kamerat brenda kampit dhe për këtë janë detyruar që me një kërkesë t’u drejtohen përfaqësuesve të muxhahedinëve për t’u dhënë pamjet e kamerave të sigurisë.

Pritet që në vijim të merren në pyetje disa iranianë të tjerë në kamp, mes të cilëve edhe 6 personat që u proceduan në gjendje të lirë për 4 akuza.

Në lidhje me 78-vjeçarin që humbi jetën në kamp, Prokuroria e Durrësit është në pritje të autopsisë dhe përgjigjes së analizave toksikologjike.

Një ditë më parë, policia procedoi penalisht 6 iranianë H.N. 73 vjeç; M.B. 72 vjeç; A.A. 72 vjeç; B.S. 63 vjeç; A.A. 61 vjeç dhe D.F. 70 vjeç.

Ata akuzohen për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik, shkatërrimi i pronës dhe pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës.

Më herët, DASH dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim mbështeti veprimet që policisë në kampin Ashraf 3, ku strehohen muxhahedinët.

Gjatë fjalimit të lamtumirës nga vendi ynë pas mbarimit të mandatit diplomatik, ajo tha se mysafirët e një vendi duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara dhe se është në të drejtën e Shqipërisë të vendosë nëse do ti largojë apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë