Gazeta Si – Konfliktet familjare të Aleks Markut, i cili qëlloi me armë ndaj RENEA-s, teksa mbante peng dy fëmijët e tij në një banesë me qira në Durrës, kanë qenë të hershme.
Sipas hetimeve, në banesën e marrë me qira në Durrës në zonën e Shkëmbit të Kavajës, kanë qenë vetëm 2 fëmijët, pasi gruaja kishte marrë urdhër-mbrojtjeje në dy raste.
Në njoftimin për shtyp, Policia e Lezhës ka referuar në dy raste në Prokurori, më 14 dhjetor 2023 dhe 27 mars 2024, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e 40-vjeçarit, B. Marku, 32 vjeçe.
Por në asnjë nga këto seanca gjyqësore, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në gjykatë.
“Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit Aleks M., shtetasen B. Marku, 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë“, njoftoi policia pas ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.
Ndërkohë 40-vjeçari, sipas policisë, rezulton se ka thyer në Itali masën e sigurisë arrest në shtëpi për vjedhje
Ai jetonte në Lezhë, por kishte marrë së fundmi një apartament me qira në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku dhe ndodhi ngjarja.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar nëse Marku ka qenë nën efektin e lëndëve psikotrope gjatë ngjarjes.
Ndaj Markut rëndojnë disa vepra penale si “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Ndërkohë, banorë të lagjes ku ai kishte marrë apartamentin me qira, tregojnë detaje për 40-vjeçarin nga Lezha, duke thënë se fëmijët kishin 1 muaj që qëndronin në atë apartament në zonën e plazhit.
“Fëmijët kanë një muaj këtu. Ngrohen shpëlahen aty, lër rroba këtu, lër rroba atje. I kemi parë fëmijët që dalin andej”, shprehet banori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.