Gazeta Si - Bardha Marku, nëna e 2 fëmijëve të mitur që u morën peng nga bashkëshorti i saj, Aleks Marku, thotë se nuk ka qenë në banesë momentin kur 40-vjeçari terrorizoi banorët e zonës së plazhit, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës në Durrës, duke qëlluar herë pas herë me kallashnikov.
Ajo ka thënë se Aleks Marku nuk e ka dhunuar fizikisht, por vetëm psikologjikisht dhe shton se ai nuk i ka marrë peng fëmijët e tyre.
Bardha shton se kohët e fundit ajo ka pasur konflikte të vazhdueshme me të shoqin dhe se tani kërkon urdhër mbrojtje, pasi ka frikë nga reagimi i të shoqit, kur ai të dalë nga burgu.
Për dyshimet se Aleks Marku mund të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike, Bardha thotë se ai nuk ka konsumuar ndonjëherë drogë në prani të saj apo fëmijëve, por një gjë të tillë nuk e hedh poshtë duke thënë: “Edhe mund ta ketë konsumuar, sepse nervoz ishte”.
“E mora vesh kur më ka njoftuar Policia e Durrësit sot në mëngjes, ngaqë unë kam ardhur mbrëmë nga Italia. Ika te familja e prindërve se thashë po të vija, do të nervozohej më shumë gjendja dhe nuk doja të vija në rrezik fëmijët, - tregon Bardha. - E kisha llogaritur të vija të nesërmen ose vetëm, ose me policinë. Në mëngjes, Policia më tha hajde merri fëmijët se janë në Komisariat”.
Gruaja shprehet se mbrëmjen e të martës ka qenë tek familja e saj pasi ishte kthyer nga Italia, ku kishte qëndruar një javë për disa dokumente që i nevojiteshin për fëmijët për shkak se ishin kthyer për të jetuar në Durrës, teksa sqaron se me 40-vjeçarin nuk kanë qenë të ndarë.
“Së pari, shyqyr që më shpëtuan fëmijët. Unë kam qenë një javë në Itali, me miratimin e Aleksit. Kemi pasur konflikte, por nuk kemi qenë të ndarë. Kisha të gjitha dokumentet e fëmijëve në Itali se i kisha në shkollë. Më duheshin vaksinat për djalin e vogël. Kisha takim edhe me avokatin”.
Bardha tregon se shumë pak fliste me fëmijët. “Dy ditët e fundit fare. Nuk i nxirrte dhe nuk tregonte vendin ku është. Ai peng nuk i ka marrë, se fëmijët ju ka besuar qejfin, me dalë. Jo nuk e di po peng nuk i ka marrë peng, ka qenë me miratimin e të dyve. Unë mendoj nga pija. Unë kërkoj urdhër mbrojtje nga shteti. Kam frikë kur të dalë nga burgu”, tha Bardha Marku per mediat.
Aleks Marku u arrestua nga policia e Durrësit, pasi terrorizoi fëmijët e tij të mitur duke i mbajtur peng.
Policia ndërhyri për të marrë fëmijët nga Aleksi pas denoncimit që Bardha Marku bëri në polici. Gjithashtu Aleksi gjatë ndërhyrjes së policisë qëlloi me armë ndaj RENEA-s për fat të mirë pa pasoja.
Sipas hetimeve, në banesën e marrë me qira në Durrës në zonën e Shkëmbit të Kavajës, kanë qenë vetëm 2 fëmijët, pasi gruaja kishte marrë urdhër-mbrojtjeje në dy raste.
Në njoftimin për shtyp, Policia e Lezhës ka referuar në dy raste në Prokurori, më 14 dhjetor 2023 dhe 27 mars 2024, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e 40-vjeçarit, B. Marku, 32 vjeçe.
Por në asnjë nga këto seanca gjyqësore, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në gjykatë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.