Kosova

Përplasen në Tiranë. Kurti: Mos dëshiron të na pushtosh? Brnabiç: Pse të pushtojmë një territor që aktualisht është i yni?!

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Tiranë duket se ka sjellë edhe përplasjen e parë të drejtpërdrejtë të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe asaj të Serbisë Ana Brnabic.

Kreu i qeverisë së Kosovës duket se ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër Mini-Shengenit Ballkanik, të cilin vazhdoi ta cilësonte një nismë që e ka origjinën në Novi Sad dhe tha se po zëvendësohej me nismën e tregut të përbashkët rajonal. Kjo nismë sipas tij do të jetë në kuadër të procesit të Berlinit dhe do të koordinohet nga Bashkimi Europian.

Edhe pse këto deklarata duket të kenë shkaktuar pakënaqësi tek një sërë liderësh në rajon, përplasjet kanë nisur kur Kurti ka kërkuar që marrëveshja e CEFTA-s të ripërcaktohet, duke e përcaktuar Kosovën si shtet.

Gazeta serbe “Tanjug” shkruan se gjatë takimit dhe në prani të komisionerit të BE-së, Oliver Varhelyi, Kurti gjithashtu i bëri thirrje Serbisë që të njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Kryeministrja serbe, Ana Brnabic u përgjigj duke thënë se formati aktual funksionon mirë dhe se nuk ka asnjë argument ligjor për të ndryshuar asgjë. “Sepse Kosova është pjesë e Serbisë”, tha ajo. Brnabic tha se Kosovën nuk e njohin pesë anëtare të BE-së, se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se në atë kuptim nuk mund të ketë status tjetër nga ai ekzistues.

Kurti iu përgjigj asaj me një pyetje: “Çfarë do të bësh, mos dëshiron të na pushtosh?”.

“Si mendon se po e okupojmë një territor që aktualisht është i yni”, iu përgjigj kryeministrja serbe.

Në një prononcim për mediat, kryeministri Kurti ka pranuar se ka pasur përplasje me kryeministren serbe dhe i dërgoi një mesazh Serbisë për të njohur pavarësinë e saj. Kurti deklaroi në një konferencë për gazetarët jashtë dyerve të pallatit të Brigadave ku sot u mbajt takimi i liderëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, se Serbia duhet të distancohet nga regjimi i Millosheviçit duke theksuar se Serbia po mban peng veten duke mos njohur pavarësinë e Kosovës.

Ana Brnabiç dhe Albin Kurti (foto ilustruese)

“Meqenëse isha në një konferencë tjetër në Selanik përmes zoomit nga pallati i bridagave, Nismat e ndryshme I bëjnë bashkë liderët e Ballkanit për të sjellë në frymën e integrimeve europiane. Në fjalën time fillova duke konstatuar se përderisa 6 shtetet e BE janë në Europë, BE nuk është Europë pa u anëtarësuar edhe këto shtet. Shteti i Kosovës është shteti më pro europian në Europë dhe jemi të vendosur për të zbatuar reformat tona.

Kurti bëri të ditur më pas propozimin e tij në Samit dhe u shpreh se shkak për ngecjen e nismave rajonale është mosnjohja e Kosovës nga Serbia.

“Isha edhe në një konferencë tjetër rajonale në Selanik. Janë shtuar nismat e ndryshme që bëjnë bashkë liderët e Ballkanit. Duhet theksuar që në fjalën time, konstatova se derisa 6 shtete të Ballkanit janë në BE, ajo nuk ësshtë ende e plotë. Kosova e ka situatën më të vështirë, pasi nuk ka as liberalizim të vizave. Jemi të vendosur për të zbatuar reformat e kërkuara.

Nismat rajonale ngecin se mungon njohja nga Serbia. Njohja nga Serbia do krijonte situatën që vendet të ecin më shpejt drejt BE-së. Nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen në raportet mes shteteve, nuk mjafton vetëm tregu ekonomik.

Në fund dhash një propozim si mund të ecim para, është modeli i marrëveshjes europiane ekonomike. Ne të hyjmë si rajon i përbashkët në marrëdhënie me BE sa i takon ekonomisë dhe tregtisë. Të kalohet nga CEFTA në EFTA EEA.

Gjëja më e rëndësishme është që Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut t’i bashkangjitet edhe Serbia në njohjen e Kosovës.” u shpreh Kurti.

Kryeministrja Ana Bërnabiç konfirmoi po ashtu përplasjen duke thënë se takimi brenda Samitit të Ballkanit Perëndimor në Tiranë ishte më i vështirë nga sa priste, duke deklaruar se ishte më shumë një hyrje në ngjarjet e ardhshme, duke përfshirë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, sesa diskutim për çështjet rajonale. Ajo foli me theks të veçantë për përplasjen që e pati me Kurtin.

Bërnabiç u tha gazetarëve se ajo u përpoq të përqendrohej në rezultate të mira dhe bashkëpunim në rajon dhe se “dikush tjetër” (duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurt) transferoi bisedën në fushën e politikës.

“Por nëse doni të flisni për politikë, atëherë ne jemi këtu për të thënë faktet, por gjithashtu se bashkëpunimi është i rëndësishëm”, tha Bërnabiç.

E pyetur nëse ajo pati mundësi të fliste me kryeministrin e Kosovës, Bërnabiq tha se Kurti provokoi.

“Unë mendoj se kishte provokime dhe idetë e tij rreth asaj se si duhet të duket bashkëpunimi rajonal, por unë mendoj se ai mori një përgjigje adekuate”, tha Bërnabiç.

Kur u pyet se cila ishte përgjigjja, kryeministrja serbe tha se nuk ishte e sigurt se sa mund të fliste për këtë, sepse gjithçka po ndodhte pas dyerve të mbyllura.

“Serbia është shtet sovran, Kosova jo, dhe është më mirë të lihen gjëra të tilla për dialog”, shtoi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë