Politike

Qeveria e Kosovës: Rama tërhoqi deklaratën e përbashkët të samitit, shkak përplasja Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës thotë se nuk ka qenë Albin Kurti refuzuesi i nënshkrimit të një deklarate të përbashkët në samitin e udhëheqësve të rajonit të zhvilluar këtë të enjte në Tiranë.

Përmes një deklarate të zëdhënëses, Rozafa Kelmendi, Qeveria e Kosovës shprehet se arsyeja e mungesës së një deklarate të përbashkët ka qenë sepse Kryeministri Edi Rama ka vendosur tërheqjen e dokumentit nisur nga ndasia e thellë mes Kosovës dhe Serbisë për përmbajtjen e tij.

“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë. Deklarata është tërhequr nga vetë mikpritësi i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, tha zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi.

Samiti i liderëve të rajonit dështoi që të prodhonte një deklaratë të përbashkët dhe u raportua se shkak për këtë kishte qenë refuzimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të firmosur një dokument ku nuk përmendej Republika e Kosovës.

Disa media serbe raportuan se ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai që refuzoi nënshkrimin e deklaratës së përbashkët, për shkak se në këtë deklaratë nuk shkruhej “Republika e Kosovës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë