Futboll

Përpëlitjet e kota të futbollit shqiptar, ai po "vdes"

Flamurtari dhe Luftëtari, dy klubeve që FIFA u ka bllokuar merkaton, janë vetëm maja e aisbergut. Mundet që edhe Tirana dhe Vllaznia të marrin të njëjtin ndëshkim. Të katër këta klube të Superiores kanë pasur probleme të njohura me borxhet e prapambetura në shifra të frikshme. FSHF-ja, nuk duhej t’i kishte futur fare në garë, nuk duhej t’i kishte licencuar, por për arsye të ndryshme i “fali” edhe këtë radhë. Mund të ketë pasur ndërhyrje nga politika apo diçka tjetër, siç ndodh rëndom në Shqipëri, por logjika të çon edhe tek përfundimin se Federata i “fali”, sepse nuk kishte alternativë tjetër. Cilat skuadra do t’i zëvendësonin? Kush ishte gati për në Superiore? Akush…

Nga një ndeshje mes Luftëtarit dhe Vllaznisë, dy klube me borxhe. Gazeta Si, 14 janar 2020

Ai vendim i FSHF-së nuk është se i ka shpëtuar klubet me borxhe, madje thjesht mund të ketë ndikuar në thellimin e gropës së tyre financiare. Janë përpëlitje të kota si nga vetë klubet, ashtu edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit si gjithçka funksionon. Futboll pa para nuk ka më, këtë e kanë të qartë të gjithë. FSHF-ja mori para pak kohësh një vendim, sipas të cilit, klubeve që shkonin në dy muaj pa paguar lojtarët, do t’u zbrtiteshin pikë nga renditja, por nuk e aplikon, sepse nuk do të ishte fare çudi që skuadrat tona të ishin sot me 0 pikë. Thuajse të gjithë klubet kanë vështirësi në shlyerjen në kohë të lojtarëve dhe trajnerëve, ndërkohë që borxhet akumulohen dhe shkresat me dënime nga FIFA do të vazhdojnë e madje do të shtohen.

Shpëtimi duket ende larg. Fedarata nuk mund të tolerojë në garë klube me borxhe, qofshin këto edhe më të njohurit në vend dhe pavarësisht kostove që mund të ketë për nivelin e futbollit. Nga ana tjetër, edhe institucionet shtetërore kanë përgjegjësin që i ka shkaktuar futbollit këtë vdekje klinike, pasi po e mbajnë “peng” me ligjin për sportin. Kompanitë e fuqishme mund të joshen për të investuar në sport dhe futboll vetëm nëse u krijohen lehtësi në bizneset e tyre, sepse koha e sponsorëve për “qejf” ka ikur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë