Njerez

Përpara se të shkojnë në luftë, shumë ukrainas po ngrijnë spermën e tyre

Çiftet duan të kenë fëmijë, edhe nëse babai nuk kthehet kurrë në shtëpi

Natalia Kyrkach-Antonenko mori një telefonatë që e njoftoi se bashkëshorti i saj, ushtar i Ukrainës, kishte ndërruar jetë. Veç të tjerash, kështu u shua edhe ëndrra e saj për të krijuar një familje.

Por ajo ishte përgatitur për këtë moment. Tani ajo do të rrisë fëmijën e tyre e vetme, duke përdorur spermën që bashkëshorti kishte ngrirë.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo u tha të gjithë çifteve të bëjnë të njëjtën gjë: “Mund të jetë shansi juaj i vetëm. Veproni tani”.

Më parë, klinikat e fertilitetit kishin më shumë klientë të huaj por tani janë çiftet ukrainase që nga frika e luftës po ngrijnë vezët dhe spermën.

“Mother and Child”, klinika më e madhe e fertilitetit në vend, ka nisur një program për të përmbushur kërkesën e re, duke inkurajuar ushtarët dhe gratë që të ngrijnë spermën ose vezët e tyre pa pagesë.

Klinika “Mother and Child”, Ukrainë

Zakonisht programet e këtij lloji kushtojnë midis 1300 dhe 4000 dollarë por në këtë klinikë cdo gjë po bëhet falas.

Mjekët e quajtën nismën “Hero Nation”.

Vitaly Radko, një mjek 37-vjeçar në një klinikë në Kiev, tha se nuk ka qenë i sigurt se stafi do të vazhdojë të shërbejë në klinikë por pasi u rihapën në pranverë, pa që jo vetëm që stafi u rikthye por kishte një numër shumë më të madh të pacientëve.

Tani, 30 deri në 40 çifte shkojnë në klinikën e tij çdo muaj për të ngrirë vezë ose spermën.

Zyra e tij është e mbuluar me qindra fotografi të fëmijëve që kanë ardhur në jetë më këtë metodë. Para luftës, pothuajse gjysma e pacientëve të tij ishin të huaj; kryesisht nga Kina, por edhe nga Amerika, Britania, Franca, Italia dhe Spanja. Tani ka vetëm ukrainas. Dyzet për qind janë ushtarë.

Burrat nuk flasin kur shkojnë në klinikën e tij, ndërsa gratë flasin, edhe pse jo për këtë çështje.

Por të gjithë e kuptojnë arsyen.

“Të gjithë e dinë se njeriu mund të plagoset ose vritet gjatë luftës. Çiftet nuk kanë nevojë ta shprehin arsyen pse kanë vendosur të ngrijnë vezët ose spermën”, thotë doktori.

Procedurat ndërkohë janë të vështira, kjo sepse ushtarët shpesh janë ose të lënduar, ose në stres. Gjithashtu dhe burokracia është një problem më vete pasi Ukraina nuk ka një ligj që lejon personat e tjerë të përdorim spermën ose vezët e dikujt që ka vdekur.

Prandaj, klinikat kanë nevojë që pacientët të marrin autorizime personale që përmendin në mënyrë specifike të drejtën e riprodhimit pas vdekjes.

Inna Tikhonova, psikologe që këshillon disa çifte, i paralajmëron ato për rreziqe të mundshme.

“Të bësh fëmijë nga një baba i vdekur nuk është mënyra e duhur për të mbuluar plagën, madje kjo mund të përkeqësojë traumën”, thotë ajo.

Burimi: The Economist. Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë